NSA: Rindezja e shpeshtë e telefonit mund të pengojë hakerët

schedule18:55 - 28 Korrik, 2021

schedule 18:55 - 28 Korrik, 2021

Në një kohë kur është përhapur gjerësisht pasiguria dixhitale, rezulton se mënyra më e vjetër dhe më e thjeshtë e riparimit të kompjuterit, fikja dhe rindezja e tij, mund të pengojë hakerët që të vjedhin të dhënat nga telefonat inteligjent. Rindezja e shpeshtë e telefonave nuk do të ndalojë ushtrinë e kriminelëve kibernetikë ose firmat e paguara për spiunazh që kanë mbjellë kaos dhe dyshime në lidhje me sigurinë dhe privacinë dixhitale. Por metoda e rindezjes së shpeshtë të telefonave mund ta bëjë më të vështirë vjedhjen e të dhënave nga hakerët.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA, publikoi vitin e kaluar një udhëzues mbi “praktikat më të mira” për sigurinë e pajisjeve mobile, në të cilin rekomandon rindezjen çdo javë të pajisjeve mobile si një mënyrë për të frenuar hakerimin.

Neal Ziring, drejtori teknik i Drejtorisë së Sigurisë Kibernetike në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, tha se telefoni i tij inteligjent është programuar që të fiket dhe rindizet automatikisht çdo natë. Ky veprim i thjeshtë, thotë ai, e vështirëson punën dashakeqe të hakerëve.

“Shumë sulme kibernetike moderne janë përpjekje zinxhir për shfrytëzimin e dobësive kibernetike nga hakerët. Nëse i detyron hakerët të rifillojnë nga e para zinxhinin e përpjekjve të tyre, kjo do t’u kushtonte”.

Pothuajse gjithmonë në dorën e njeriut, rrallë herë të fikur dhe me sasi të mëdha të dhënash sensitive personale, telefonat celular janë bërë objektiva të rëndësishëm për hakerët.

Ata përpiqen të vjedhin mesazhet e shkëmbyera me tekst, kontaktet, fotografitë si dhe përpiqen të gjurmojnë lëvizjet e përdoruesit dhe madje fshehurazi, t’i përgjojnë ata duke hapur mikrofonin apo kameran e telefonit inteligjent.

Këshillat për rindezjen e telefonit inteligjent në mënyrë periodike pasqyrojnë pjesërisht një ndryshim në mënyrën se si hakerët më të mirë po penetrojnë në pajisjet mobile.

Kjo tregon gjithashtu edhe shtimin e hakerimeve përmes motodës pa klikime, domethënë pa veprime të gabura nga përdoruesit, siç bëhej zakonisht përmes hapjes së një emaili apo fotografie me viruse dixhitale të fshehura mirë.

Zakonisht, pasi hakerët futen në një pajisje ose rrjet, ata kërkojnë mënyra për të qëndruar brenda sistemit duke instaluar një program të dëmshëm në sistemin e skedarëve në rrënjët e programit operues të sistemit.

Zoti Ziring thotë se ajo metodë është bërë më e vështirë pasi kompanitë prodhuese të telefonave, si Apple dhe Google, kanë siguri të fortë për të bllokuar programe keqbërëse në sistemet e tyre operuese.

“Duhet të jeni të kujdesshëm në zgjedhjen e aplikacioneve që instaloni. Shkarkoni vetëm ato që ju nevojiten. Kur një aplikacion nuk ju duhet më, fshijeni. Duke bërë këtë zvogëloni mundësinë e sulmeve kibernetike.”

Udhëzuesi i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare gjithashtu e pranon se rindezja e një telefoni funksionon vetëm në disa raste. Por udhëzuesi ka një këshillë më të thjeshtë për t’u siguruar që hakerët nuk po ju përgjojnë përmes kameras apo mikrofonit të telefonit inteligjent. Këshilla është, mos e mbani telefonin me vete./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!