Novak Djokoviç fiton US Open

schedule18:57 - 10 Shtator, 2018

schedule 18:57 - 10 Shtator, 2018

Novak Djokoviç arrin një tjetër sukses në karrierë, pasi fiton Grand Slemin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tenisti serb u barazua me legjendën Pit Sampras.

Treshja më e mirë e kësaj epokës duket se do të cilësohet edhe treshja më e mirë e të gjitha kohëve.

Novak Djokoviç iu bashkua Rozher Federerit e Rafael Nadalit, në treshen e tenistëve që kanë fituar më shumë Grand Sleme në karrierë, edhe pse mes tyre mbetet edhe një “plak”.

Kjo legjendë paksa më e vjetër quhet Pit Sampras, që ka 14 Çmime të Mëdha, aq sa iu bënë Gjokoviçit pas fitores spektakolare në US Open.

Federer ka 20 duke qenë rekordmeni, ndërsa Nadali është ndalur në 17.

Djokoviç pati një finale të fortë në Grand Slemin amerikan përballë Huan Martin Del Potros.

Kampioni i vitit 2009 vërtet humbi 0-3 me sete, por e detyroi serbin të luftonte për gati 3 orë e gjysmë përpara se të fitonte.

Setet ishin 6-3, 7-6 e 6-3 për Nolen, që tani ka tre tituj në US Open (pas 8 finaleve).

Tenisti numër 3 i botës ka gjithashtu 6 Australian Open, 4 Uimbëlldone dhe 1 “Rolan Garros” në Paris.

Po ashtu, ai u bë tenisti me fitimet më të mëdha direkt nga profesioni i tij sportiv, me 119 110 890 USD, ndaj mbi 118 milionë dollarëve të Federerit.

A do të mundet ai të arrijë rekordin e zviceranit të madh?

Në moshën 31-vjeçare, Djokoviç ende ka kohë për t’ia dalë, edhe pse me kalimin e kohës për të do të jetë gjithnjë e më e vështirë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!