Nga Silvi Sulaj
61 vjecari, Shkëlqim Beqja rezulton me parametra shëndetësorë si të një 20 vjeçari falë sporteve të ndryshme që ushtron. Për sarandiotin, notin dhe çiklizmi janë më të preferuarit.
“Shkëlqim Beqja, sportist… Dy herë në vit bëj analizat komplet, laboratori thotë këto parametra duhet t’i kenë 20 vjeçarët. 61 vjeç i mbusha në gusht, por sinqerisht ndihem shumë i ri për shkak të aktivitetit fizik. Ndryshon edhe mentaliteti, i shoh gjërat me pozitivitet dhe tolerancë.”
Notin e mësoi si çdo fëmijë që lind në një qytet bregdetar. Rëndësinë e tij e kuptoi në një moment stresant dhe prej asaj ditë nuk ka ndaluar. Zhytet në çdo stinë.
“Dashuria për sportin ka qenë që në fëmijërin e hershme. Me kohën me krijimin e familjes lindën edhe detyrime, vraponim për kushtet e nevojshme ekonomike të familjes dhe harruam vetën. Ky ishte fatalitet ndihesha shumë i stresuar dhe një moment u kthjellova edhe e pyeta veten se çfarë do bëja nëse do jetoja sërish, përgjigja ishte do bëja sport. Ti je gjallë i thashë vetes pse nuk i bën tani. 10 vitet e fundit më është kthyer në rutinë sporti, flasim për disa lloj sportesh, jo për të dalë kampion, por për të sfiduar veten time.”
61 vjeçari në verë punon. Shëtit turistët me anije dhe ka më pak kohë të notojë. Kohën e humbur e rikuperon në dimër.
“Deti është jeta ime, nuk e kuptoj dot jetën pa det. Mund të më çosh në çdo pikë të universit, unë prapë dua të kthehem në Sarandë. Kjo është parajsa për mua. Zhytem dimër e verë, në verë edhe mund të më shpëtoj ndonjë ditë, por në dimër zhytem çdo ditë, është një mrekulli për shëndetin. Po të mungoj ndonjë ditë më afrohen peshqit e më thonë ku ke qenë.”
Çimi ka dhe rekorde. Siç është zhytja në ujë të akullt.
“Në Sarandë rrallë bie bore por edhe kur ka pasur jam në det. I ftohti është një sfidë, të cilën çdokush mund ta provojë edhe t’ja dalë. Duke filluar gradualisht, duke e filluar që në verë edhe pa e shkëputur çdo ditë nga pak. Bota zhytet në akull, nordiket. Duket e vështirë, por mund ta bëj kushdo.”
Shkëlqimi dëshiron ti bashkohen miq apo qytetarë të tjerë.
“Më përgëzojnë, po nuk e ka marrë njeri iniciativën, shpresoj në të ardhmen ta provojnë. Ka njerëz, që e shfaqin dëshirën, por në të ardhmen shpresoj të më bashkohen.”
Çiklizmi është një tjetër pasion i tij. 61 vjeçari tregon se përdor shumë biçikletën, sa kur zbret në tokë i duket se nuk di të ecë.
“E dua aq shumë biçikletën edhe e përdor aq shume sa shpesh më duket sikur nuk di të eci mirë me këmbë, më duket si pjesë e turpit. Është mrekulli! Karburanti i biçikletës janë ushqimi që përdorim, të pastron organizmin. Është dashuri biçikleta, nuk janë budallenj holandezët që i përdorin në mënyrë masive.”
Sa orë në ditë i dedikon sportit?
“Nuk kam orar të përcaktuar, gjithë kohën jam aktiv. Këto kolltuqet e ndenjëset janë me gjemba edhe kur shkoj me një shok për një kafe e pi atë edhe nuk kam durim të rri gjatë.”
Përdorimi i makinave për distanca të shkurta për Shkëlqimin është gabim me pasoja.
“Do dukej cinike nëse ua them drejtpërdrejt, që e kanë gabim, por sinqerisht e kanë gabim. Një makinë luksoze na vret është më shumë për tu dukur. Ndoshta me shembullin tim mund të ndikoj të ata. Duke me parë me biçikletë dhe që jam mirë fizikisht ndoshta ju zgjoj interesin.”
Jeta sedentare të plak, për Çimin mosha është veçse një numër.
“ Plakemi kur duam vetë! Nëse rri gjithë ditën ulur le të jesh 20 vjeç, je i plakur nuk bën asgjë. Nëse je aktiv sa të jesh gjallë je shumë mirë.”