Marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, duket se po normalizohen. Të dy vendet kanë vendosur të rikthejnë shërbimin e vizave, që u ndërpre në tetor, për shkak të ndalimit të punonjësit të ambasadës amerikane në Ankara.
Misioni amerikan në Turqi do të rifillojë shërbimin e plotë të dhënies së vizave për jo-emigrantë. Ky vendim vjen pasi qeveria turke garantoi sigurinë e stafit konsullor të Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni kishte pezulluar të gjitha shërbimet e vizave pas arrestimit të një prej punonjësve të saj të konsullatës në tetor.
Ai u ndalua për shkak të dyshimeve për lidhje të mundshme me klerikun Fetullah Gylen, i cili fajsohet për organizimin e grushtit të shtetit vitin e kaluar. Në një deklaratë, ambasada amerikane bën të ditur se që nga muaji tetor e deri më tani, autoritetet turke nuk kanë filluar ndonjë hetim të ri për punonjësit lokalë në misionet diplomatike amerikane në Turqi. Siç theksohet nga përfaqësia diplomatike, autoritetet turke kanë respektuar garantimin e dhënë në nivel të lartë se nuk do të arrestojnë punonjës lokalë të ambasadës ose konsullatave amerikane në Turqi.
“Bazuar në garantimin në fjalë, Departamenti Amerikan i Shtetit beson se gjendja e sigurisë është përmirësuar mjaftueshëm për të rifilluar plotësisht dhënien e shërbimeve për viza në Turqi”, thuhet në deklaratën e selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Ankara.
Ndërkohë, edhe ambasada e Turqisë në Uashington njoftoi se ka hequr kufizimet ndaj vizave kundrejt shtetasve amerikanë./abcnews.al