“Non grata” të tjerë veç Berishës?/ Ambasadori britanik: Do marrim të gjitha masat e nevojshme për të ndihmuar me luftën kundër korrupsionit

schedule20:28 - 18 Korrik, 2024

schedule 20:28 - 18 Korrik, 2024

Ambasadori britanik, Alastair King Smith, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, u përgjigj pyetjes nëse do të ketë “non grata” të tjerë veç kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha nga Britania.

Pa zbuluar detaje, Smith u shpreh se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionin me të cilën përballet Shqipëria.

Më tej ambasadori u shpreh se “Dëshira ime për Shqipërinë është të arrini ekuilibrim mes pushteteve, por edhe mes partive politike, dhe në Parlament”, ndërsa shtoi se “Inkurajojmë politikanët të mblidhen dhe të rikthejnë Parlamentin te funksionoje, sepse pa të nuk arrihet progres”.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Z.Ambasador, në një nga intervistat tona më patët thënë që, do të ketë dizenjime të tjera, do të ketë një listë tjetër, që nuk është vetëm ish kryeministri dhe ish presidenti Berisha, por do të ketë të tjerë dhe madje, përdorët shprehjen që do të ketë nga të dyja krahët e politikës. A ka ndodhur, a po ndodh?

Smith: Detyrimisht qasja jonë për këto çështje është e ekuilibruar, ashtu si edhe në fusha të tjera, dhe kemi përcaktuar një pozicion afatgjatë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të ndihmuar me luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit si në Mbretërinë e Bashkuar, për çështje që ndikojnë Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në mbarë botën, dhe do të vijojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Këto vendime merren në nivelet më të larta të qeverisë dhe tani i takon Ministrit të ri të Jashtëm dhe Ministres së re të Brendshme të marrin vendime të tilla, dhe ne do të vijojmë të përqendrohemi tek llogaridhënia. Gjithashtu, duam të vijojmë të jemi partner i fuqishëm në mbështetje të Sistemit të Drejtësisë Kombëtare, në mënyrë që sistemi i sundimit të ligjit të jetë realisht i efektshëm.

Pyetje: z.Ambasador, këtu duket një realitet se pushteti politik është solid në duart e njërës palë, aq sa njerëzit mendojnë që në zgjedhjet e 2025 nuk do ketë surpriza sepse pala tjetër, është e dobësuar e përçarë edhe për shkak të goditjeve që ka marrë nga ndërkombëtarët, SHBA dhe Britani e Madhe kryesisht. Dhe kjo na lë në një pikëpyetje, që shkon përtej preferencave që ne mund të kemi për të parë dikë të përballet me drejtësinë. Në këtë rast z.Berisha. Çdo demokraci sigurisht funksionon në një sistem demokratik të balancuar, por nga ana tjetër funksionon me një sistem ku politika nuk ka të gjithë pushtetin. Ndërkohë deri dje, para se reforma në drejtësi filloi të funksiononte, kush zgjidhej kryeministër ishte ‘mbret’. Kishte ndikim në sistemin e drejtësisë, deri në sistemin e taksave, por edhe të komunikimit publik, në media në gjithçka. A është sistemi I ri I drejtësisë, aq i fuqishëm sa të arrijë të balancojë një situatë që është totalisht e pabalancuar nga pikëpamja politike?

Smith: Sokol, është pyetje shumë e rëndësishme, sepse mendoj se në çdo shoqëri është shumë e rëndësishme të arrihet ekuilibër mes pushteteve të ndryshme të shtetit. Besoj se deri në vitin 2016 në Shqipëri kur u miratua paketa e reformës në drejtësi, nuk kishim gjyqësor të efektshëm dhe vendi ka nevojë për të tre pushtetet, ekzekutivin, ligjvënësin – Parlamentin – dhe gjyqësorin për të qenë i efektshëm dhe funksional. Normalisht tre vitet e fundit kemi parë sistemin e drejtësisë, gjyqësorin, gjykatat, dhe prokurorët që kanë nisur të funksionojnë. Kjo sjell dinamikë të re dhe ekuilibër të ri, dhe është e rëndësishme që këtu të arrihet në ekuilibrin e duhur për të ardhmen. Në MB jemi me fat që kemi pushtete në stabilitet relativ mes tyre, edhe pse me raste ka ankesa lidhur me veprimet e tyre. Normalisht, ka edhe lëvizje politike në ekzekutiv dhe legjislativ. Patjetër që ka shkëmbim pushteti mes partive të ndryshme. Por mendoj se parimi i pluralizmit politik është me rëndësi dhe shpresoj që Shqipëria të vazhdojë me këtë parim. Historikisht, dy parti kanë qenë më të fuqishmet, por po filloni të keni shenja dhe forma të tjera që mund të marrin rëndësi në të ardhmen. Shpresoj të lulëzojë një politikë më pluraliste që do të përfaqësojë të gjithë shoqërinë e Shqipërisë. Në zgjedhjet e MB-së që sapo u mbajtën, ashtu si dhe shumë zgjedhje të tjera në mbarë botën, para pak javëve, patëm fitore me shumicë të madhe të laburistëve ndaj konservatorëve. Por gjithashtu, patëm ndryshime dhe në Partinë Liberal Demokrate që arritën të marrin më shumë vende në Parlament se ndonjëherë më parë. Edhe parti të tjera politike pësuan ndryshime. Partia Kombëtare e Skocisë pa ndryshim të numrit të vendeve në Parlamentin në Uestminster duke humbur shumë vende, por ata dolën mirë në Skoci. Ndërkohë Partia e Reformës mori më shumë vota se ndonjëherë më parë. Kjo është mëse e drejtë në demokraci dhe duhet të ketë ndryshime që pasqyrojnë mendimin e qytetarëve. Kështu, dëshira ime për Shqipërinë është të arrini ekuilibrim mes pushteteve, por edhe mes partive politike, dhe në Parlament. Unë kam pasur kënaqësinë si Ambasador, së bashku me Ambasadën, të mbështesim demokratizimin dhe funksionimin e parlamentit dhe të ndihmojmë dhe inkurajojmë politikanët të mblidhen dhe të rikthejnë Parlamentin te funksionoje, sepse pa të nuk arrihet progres. Dhe siç kam thënë shpesh, çajin anglez e kemi gjithmonë gati.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!