Këtë të enjte, seanca plenare në Kuvend ka pasur tensione. Kjo pasi deputeti demokrat, Flamur Noka ka goditur me shishe ministrin Taulant Balla, teksa ky i fundit po fliste nga vendi i tij.
LEXO EDHE: VIDEO/ Tensione në Kuvend, Noka godet me shishe Ballën, përplaset me gardistët. Ndërpritet seanca
Lidhur me këtë situatë të tensionuar ka folur në “News Line” dhe deputeti socialist Ilir Metaj, i cili u shpreh se këto nuk janë sjellje të reja, por të manifestuara nga e kaluara.
Sipas Metajt, Noka e di që Partia Socialiste është e vetmja forcë që e udhëheq Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.
“Për fat të keq nuk janë sjellje të reja, janë sjellje që opozita I ka manifestuar edhe në të kaluarën. Specifikisht Noka por edhe ndonjë tjetër aty e kanë zakon të bëjnë trimin brenda mureve të kësaj salle, që ka autoritetin dhe etikën dhe protokollin për ta respektuar secili nga ne, që nuk duhet ta shkelë.
Ai e di shumë mirë që ai mund ta shkelë ndërsa ne të tjerët për shkak të formimit të përgjegjësisë që kemi ndaj forcës politike që përfaqësojmë dhe të njerëzve që na kanë votuar, por edhe për të treguar se jemi një forcë politike me standard europiane që është e vetmja forcë që mund ta udhëheqë këtë vend drejt BE, do të zbatojmë protokollin e asaj salle dhe jo protokollin e gjelave që fryhen në majë të plehut, apo burrave që mendojnë se mund të shfaqin forcë në një sallë ku e di shumë mirë që ka mjaft gardistë dhe njerëz të tjerë që duan të respektojnë rregullin dhe nuk e shohin me vend ta shkelin atë” , tha ai./abcnews.al