Nobeli për Handke, habi edhe në Beograd

schedule23:00 - 11 Tetor, 2019

schedule 23:00 - 11 Tetor, 2019

Vlerësimi me çmimin Nobel për shkrimtarin austriak Peter Handke, ithtar i Sllobodan Millosheviç, është pritur me habi edhe në Beograd. Shkrimtarët serbë e cilësojnë atë një autor të dështuar, disa në aspektin letrar e të tjerë në atë politik, nisur nga simpatia e shprehur prej tij për epokën e “kasapit të Ballkanit”.

Ky është varrimi i Sllobodan Milloshevic. Me respekt ftohet shkrimtari austriak Peter Handke, që të mbaj fjalimin. Jo pak e ka vajtur fituesi i Çmimit Nobel për këtë vit në letërsi.

Peter Handke, shkrimtar austriak: Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka mbi Jugosllavinë dhe Serbinë. Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka për Sllobodan Millosheviçin. E ashtuquajtura botë di gjithçka mbi të vërtetën. Unë nuk e di të vërtetën. Por unë shoh, dëgjoj, ndjej. Më kujtohet. Ndaj jam sot këtu, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviçit.

Kjo afërsi e tij kishte ardhur që prej kohësh kur besonte se bota ishte e padrejtë ndaj serbëve, e sidomos shtypi Perëndimor. Ndarja e Nobelit shkaktoj reagime pasi u konsiderua e padrejtë dhënia e çmimit më të lartë për një autor që mbështeste kreun e Serbisë, nga veprat e të cilëve plagët ende nuk janë shëruar.

Në këtë kënd çdo ditë prej vitesh rri një grup shkrimtarësh, artistësh e gazetarësh që Handken e mbajnë mend mirë. Filip David, një prej shkrimtarëve më të famshëm të Beogradit, e ka të vështirë të thotë gjë për kolegun austriak. Si stil shkrimtari nuk i pëlqen, por i kupton ata që e duan. Thellësisht i zhgënjyer shfaqet David kur përmendet emri i austriakut.

Filip David, shkrimtar: Kundër nesh që kemi qenë kundër politikës së Millosheviçit, ai këtë politikë e ka përkrahur. Kjo ka qenë një politikë e kobshme dhe e dëmshme për Serbinë, një politikë nacionaliste. Ai ka qenë në varrimin e Millosheviçit dhe dikur ka shkruar një pamflet ku sqaronte se si ishin të lumtur pensionistët që kishin nga një markë pensionet dhe se si krijohej empati nga shitësit dhe blerësit e karburantit me bidona. Lavdëronte diçka që për ne nënkuptonte varfëri totale.

Ky lajm ka ndarë edhe miqtë. Linja e hollë është në mes të veprës dhe karakterit jashtë kopertinave. Gjykimi duket më i vështirë nëse tentohet të ndahet vepra nga autori. Novica Milliç, ka qenë prej vitesh profesorë i letërsisë botërore në universitet. E kujton një nga takimet e tij në qendër të Prishtinës pak vite para luftës, pasi Handke botohej nga shtëpitë botuese të serbëve të Kosovës. Milliç, e quan si shkrimtarin më të mirë të botës që meriton çmimin- megjithatë.

Novica Milliç, profesor universitar: Unë i kam thënë kur kam patur rastin atij. Handke del të jetë naiv, jo shumë i informuar dhe ka patur vlerësime të gabuara edhe për Millosheviçin dhe për rënien e Jugosllavisë. Ai është vetëm një rast tjetër i një shkrimtari të mrekullueshëm që është dështim total politik. Ka patur raste dhe më parë dhe nuk më befason për Handken.

Ndarjen e çmimit disa e kanë pritur me gëzim e disa trisht në rajon, pasi i urryer pas dashurisë ndaj Millosheviçit, nuk dukej i pranueshëm. Për një pjesë të serbëve kjo ka qenë lumturi. Autori austriak padyshim që kishte zgjedhur anë dhe vuajtja e tij për Jugosllavinë duket edhe në autorësinë e tij që quhet; “ndarja e ëndërrimtarit nga toka e humbur”./ABC News albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!