Dy vëllezërit Vladimir dhe Shpëtim Çilotaj janë subjekti i radhës i Operacionit Forca e Ligjit. Këta të fundit janë të detyruar që të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit brenda afatit kohor të 48 orëve.
Vëllezërit Çilotaj nga Patosi janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Sipas OFL mbi ta rëndojnë akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike si dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Familja e tyre në vitin 2011 ka ndryshuar mbiemrin me vendim të këshilli bashkiak të Patosit nga Shpërdheja në Çilotaj.
Sipas prokurorisë mbi familjen Çilotaj rëndon akuza e rëndë e trafikimit të Nurie Hoxha, 24 vjeçares nga Patosi. Kjo e fundit iku nga shtëpia në Patos me qëllimin për të nisur një jetë të re në Athinë, ndërsa Muhamet Çilotaj i kishte prekura martesë.
Në vend të martesës, 24-vjeçarja “u pagëzua” me emrin Katerina dhe u detyrua të punonte në një shtëpi publike. Tre muaj pas mbërritjes në Athinë, ajo vdiq nga dhuna barbare, e ndëshkuar se nuk mundi të fitonte më shumë para për të fejuarin e saj tutor.
Ndonëse u akuzuan nga drejtësia greke dhe ajo shqiptare për shfrytëzimin për prostitucion dhe vrasjen barbare të 24-vjeçares Nurie Hoxha, Muhamet dhe Shpëtim Shpërdheja i shpëtuan drejtësisë. Ata u kthyen në Shqipëri, ndërruan identitetin dhe nisën të hidhnin themelet e perandorisë së tyre të pasurisë, që sipas Prokurorisë së Fierit kap sot vlerën e dhjetëra milionë eurove.
Një vendim i 31 majit 2018 i Gjykatës së Fierit identifikoi se familja Çilotaj zotëronte mbi 100 apartamente në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Sarandë, sipërfaqe të konsiderueshme toke si dhe dhjetra llogari bankare, të cilat dyshohet se kanë si burim aktivitetet e tyre kriminale. Përveç aseteve në pasuri të patundshme, ata zotëronin gjithashtu kompani ndërtimi dhe hidrokarburesh, të cilat janë vendosur tashmë në sekuestro preventive nga Gjykata e Fierit.
Në të njëjtën ditë, gjykata vendosi masën e “arrestit me burg” për dy vëllezërit Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj si dhe “detyrim paraqitje” për babanë e tyre, Agurin dhe vajzën e Vladimirit, Jonidën.
Sipas Prokurorisë së Fierit, vëllezërit Çilotaj akuzohen se janë përfshirë në një skemë pastrimi të parave, që dyshohet se kanë si burim aktivitetet e tyre kriminale, në bashkëpunim me pronarin e një pike të këmbimit valutor.
Tashmë vëllezërit Çilotaj do të duhet të japin llogari për këtë pasuri. /abcnews.al