“N’Kufi”/ Turistët e huaj mahniten me bukuritë e Kelmendit: Duam të kthehemi sërish, njerëzit janë shumë miqësore

schedule18:44 - 24 Nëntor, 2024

schedule 18:44 - 24 Nëntor, 2024

Pika kufitare që lidh Shqipërinë me Malin e Zi apo më saktë që lidh Vermoshin me Plavën dhe Gucinë është e treta ndër pikat tona kufitare me Malin e Zi, pas Hanit të Hotit dhe Murriqanit.

Komuna e Kelmendit është në skajin më verior të Shqipërisë dhe Vermoshi, fshati më i largët në kufi me Malin e Zi dhe për të shkuar aty, udhëtojmë nga Tirana, drejt Shkodrës dhe më pas Vermoshit. Këtu koha duket sikur ka ndaluar në vend.

Qafa hijerëndë e Rrapshit, ura e Tamarës në ujërat e lumit Cem, pak më tej fshati Lëpushë.

Dhe më tej shfaqet me të gjithë magjinë e saj lugina e Vermoshit, në një lartësi prej 1100 metrash mbi nivelin e detit, rrethuar nga male të thepisura, pyje e livadhe. Përmes fshatit kalon lumi i Vermoshit, apo ndryshe lumi i Limit, i vetmi lumë në Shqipëri me rrjedhje të kundërt që derdhet në Danub.

Bjeshkët e Vermoshit që e përqafojnë Luginën arrijnë deri në 2000 metra lartësi mbi nivelin e detit. Malësorët e Kelmendit janë kaq mikpritës, me shtëpitë dhe bujtinat e tyre alpine dhe muret e gurta. Është një bukuri mahnitëse me Alpet që të kujtojnë Eposin e Kreshnikëve, pyje, lumenj, livadhe dhe pllaja që të japin ndjesinë sikur po e sheh tokën nga hapësira.

Arnizka Vodaçek, nga Polonia ka ardhur këtu në Kelmend dhe dëshiron të kthehet dhe të qëndrojë këtu. Ndërsa Feliks Linz, nga Stutgarti, në Gjermani, thotë se këtu është më bukur se në Mal të Zi, madje, në vend të Shtutgartit, do zgjidhte pikërisht Kelmendin.

“Një nivel me lart, është mahnitëse”, na thotë.

Pjetër Tajanaj, në qafën e Rapshit na tregon për klonin që ndodhej këtu dhe banorët lëviznin me pasaporta për në Vermosh. Lumi i Vermoshit është i vetmi lume në Shqipëri me rrjedhje të kundërt qe derdhet ne Danub.

Në Vermosh takojmë banorët. Kol Numaj na shpjegon se “n’kohë të komunizmit”, Vermoshi, “a kenë si tan Shqipnia”. Ndërsa Gjelosh Vuçaj ia kthen: “Kufini ka kenë gjithkund more”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!