Zona e Hasit është ndër më të bukurat në Shqipëri, veçanërisht në një mëngjes me diell që rrezaton këndshëm në pllajat përreth. Malet këtu lartësohen butë dhe gradualisht dhe Drini i Bardhë i jep jetë gjithë zonës.
Banorët jetojnë me bujqësi e blegtori dhe dhia e kuqe e Hasit është symbol i pjellorisë dhe mirëqënies. Dhitë e kuqe të Hasit kalojnë kufirin me bariun në krye cdo ditë në Qafë Prush për të kullotur në pllajat e Hasit të Kosovës. Vendkalimi i Qafë Prushit ndodhet ne rrethin e Hasit dhe lidh Kukësin dhe Krumën me Gjakovën. Rruga është asfaltuar plotësisht dhe është ndërtuar një godinë e re kufitare e përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën.
Qafa e Prushit është një kalim malor nëpër malet shqiptare përgjatë kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Para ndarjes së Kosovës nga pjesa tjetër e trojeve shqiptare, Qafa e Prushit dhe Tropoja ishin pjesë e së njëjtës nahi, ose komunë sic quhet tani kjo ndarje administrative.
Rruga për në pikën kufitare të Qafe Prushit quhet SH23 në pjesën e Shqipërisë dhe R203 në pjesën e Kosovës. Qafa e Prushit, në lartësinë 651 m, nëpër të cilën kalon rruga nga Kami në Gjakovë, lidh malësinë e Bytyçit me Rrafshin e Dukagjinit dhe ndan Hasin nga Bytyçi e Tropoja.
Që nga shkurti 2024, ka filluar të zbatohet marrëveshja për lehtësimin e kontrollit kufitar hyrje-hyrje, dalje- dalje. Ky lehtësim dhe kontroll i përbashkët ka treguar rezultate pozitive edhe në parandalimin e krimit. Banorët në të dy anët e kufirit lëvizin lirshëm duke ndihmuar edhe në shkëmbimet ekonomike, kulturore dhe njerëzore. Flasim me banorët që kalojnë kufirin.
“Heqja e kufirit, është ba mrekullia e botës”, na thonë, duke shtuar: “Ishalla hiqet sa më shpejt, doganë mes vllazënve dhe gardh mes vllazënve nuk ban”. Në Letaj të Qafe Prushit flasim me banorët e pjesës së Shqipërisë. Na tregojnë për shkatërrimin e Gjakovës pas luftës dhe klonin që dikur ndante me tela me gjemba shqiptarët. Eduard Çuni na shpjegon se brezi i butë i klonit ka qenë i sheshuar që të lije gjurmë kur kaloje. Dhitë e kuqe të Hasit kalojnë çdo ditë kufirin për të kullotur në pllajat e Kosovës.
Bariu Petrit Bardhoshi na shpjegon sesa me leverdi është të mbarshtrosh dhinë e kuqe të Hasit. Hasi është ndarë në mes nga kufiri shtetëror, 18 fshatra ne Shqiperi dhe 18 ne Kosove. E gjithë vija kufitare ka qenë e minuar dhe ende ka rrezik nga minat. Në anën tjetër të kufirit, në fshatin Prush, takojmë Agim dhe Abedin Prushin që na tregojnë çfarë ka ndodhur gjatë luftës. Por kohët kanë ndryshuar. “Tash janë bo mire edhe ata”, na thotë Agim Prushi. Ndërsa Abedin Prushi thotë se “Has andej, Has këndej, njësoj jemi.”
Djali I tij dëshiron të bëhet futbollist dhe stërvitet në lëndinat e fshatit. Hasjanët marrin dhe japin në të dy anët e kufirit, që është bërë pothuaj I pavërejtshëm. Miqësitë, martesat dhe rilidhja e familjeve që mbetën në dy anë të ndryshme të kufirit, pas dekadash të tëra, është një ëndërr që pak e besonin para vitit 1999. Është bërë tashmë një realitet për hasjanët në të dy anët e kufirit. Të shkosh në Gjakovë, është si të shkosh në Krumë, qoftë edhe për të pirë një kafe me miq./abcnews.al