Njolla gjigante e naftës mbulon detin e Kinës

schedule15:08 - 15 Janar, 2018

schedule 15:08 - 15 Janar, 2018

Anijet kineze po nxitojnë për të pastruar njollën gjigante të naftës që u përhap pas mbytjes së çisternës iraniane në detin e Kinës së Jugut. Njolla, me një sipërfaqe prej 120 kilometra katrorë, mendohet të ketë në përbërjen e saj karburant të rëndë, që përdoret për të furnizuar mjetet lundruese. Anija-çisternë “SANCHI” u mbyt ditën e djelë dhe sipas të dhënave të autoriteteve kineze, të gjithë anëtarët e ekuipazhit të saj kanë humbur jetën. Anija po transportonte 136 mijë tonelata naftë të papërpunuar ultra të lehtë nga Irani, lëndë me përmbajtje toksike, që përhapet lehtë dhe që është e padukshme nga sipërfaqja. Si karburanti i përdorur nga vetë mjeti, ashtu edhe nafta që po transportohej mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme për gjallesat detare. “SANCHI” u përplas me një anije mallrash më 6 janar, kur ndodhej 260 kilometra nga Shangai dhe u detyrua të ndërronte kurs drejt Japonisë. Por pak pas përplasjes ajo mori flakë dhe pas më shumë se një javë u fundos në brigjet e Kinës. Autoritetet iraniane deklarojnë se 32 anëtarët e ekuipazhit, 30 iranianë dhe 2 nga Bangladeshi, kanë humbur jetën. Anijet që kanë nisur operacionin e pastrimit po hedhin në det agjentë kimikë, me qëllim shkrirjen e naftës./abcnews.al