Marrëveshja e firmosur në Romë më 6 shkurt, për njohjen e viteve të punës për shqiptarët që jetojnë në Itali dhe italianët që punojnë në Shqipëri, do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e datës 16 maj.
Kjo fazë i hap rrugë zbatimit në praktikë të sa, duke bërë që rreth 500 mijë shqiptarë të marrin pensione të plota duke bashkuar vitet e punës së siguruar në atdhe me vitet e punës në emigracion.
E njëjta gjë edhe vlen për italianët që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Marrëveshja e cila ka nisur të negociohet 15 vite më parë është firmosur nga ministri i jashtëm Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani në Romë.
Të dy zyrtarët e quajtën një arritje të madhe për të dy popujt tanë. Qytetarët duhet të zgjedhin vetëm një pension: ata do të jenë përfitues ose në Itali, ose në Shqipëri, dhe kjo do të varet nga vendbanimi i tyre në kohën kur mbushin moshën për të përfituar pensionin.
Asnjë s’mund të marrë pension njëkohësisht në të dyja shtetet.
Procedura e ratifikimit të marrëveshjes që për Shqipërinë do të jetë në 16 maj, duhet të ndodhë edhe në parlamentin italian, në mënyrë që të nisin përfituesit e parë menjëherë pas hyrjes në fuqi të aktit.
Shqipëria ka bërë disa marrëveshje të tilla në fushën e mbrojtjes sociale, por kjo me Italinë është më e rëndësishmja për shkak të numrit të lartë të përfituesve. Negociata me Greqinë në këtë aspekt, nuk ka ecur me ritme frymëzuese.