Njohja e pavarësisë nga Spanja, mediat: Madridi po bën hapa të normalizimit të raporteve me Kosovën

schedule11:29 - 22 Prill, 2022

schedule 11:29 - 22 Prill, 2022

Një nga problemet kryesore të avancimit të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike është edhe fakti se pesë shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Megjithatë, në dy prej këtyre shteteve ka lëvizje. Bëhet fjalë për Greqinë dhe Spanjën.

Sa i përket Greqisë, janë zhvilluar takime të tëra, dhe duket se Athina e Prishtina janë vetëm një hap larg vendosjes së raporteve bilaterale.

Ndërkohë në Spanjë po raportohet se ka lëvizje edhe të qëndrimit të Madridit zyrtar sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës. Të paktën kështu ka raportuar sot mediumi spanjoll “Epe.es”, në një shkrim ku flitet për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës.

Sipas këtij medium, fakti që kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka marrë pjesë në Samitin Bashkim Evropian- Ballkan lë të kuptohet se ky është një hap i parë i Spanjës drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Këtë“Epe.es” e thotë, teksa kujton se në vitin 2018, ish-kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ishte larguar nga Samiti i vitit 2018 vetëm për të mos e njohur të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë në mesin e shteteve pjesëmarrëse, raporton Gazeta Express.

“Që nga viti 2008, Spanja ka respektuar kufijtë evropianë të përcaktuar në Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, në mënyrë që të mos komprometojë pozicionin e saj për mosndërhyrje në konflikte të tjera të pavarësisë. Edhe pse qeveria spanjolle ka shpenzuar vite duke shmangur vendosjen e çfarëdo lloj marrëdhënieje me ekzekutivin kosovar, pjesëmarrja e Pedro Sanchez në Samitin BE-Ballkan, në të cilin ai njohu një “kryeministër” kosovar si të tillë për herë të parë, sugjeron një hap të parë në normalizimi i marrëdhënieve”, shkruan “Epe.es”

Tutje teksa përmendet pozicioni i Spanjës, përmendet fakti se Madridi zyrtar kërkon një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit, qëndrim ky i shprehur zyrtarisht edhe nga diplomacia spanjolle.

“Tradicionalisht, diplomacia spanjolle e arsyeton refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në bazë të ligjshmërisë ndërkombëtare dhe stabilitetit në rajon. Ajo gjithashtu shmang bërjen e paraleleve mes situatës në Kosovë dhe asaj të Baskëve dhe Katalonjës, duke kujtuar se situata e tyre kushtetuese dhe ligjore është e ndryshme”, thuhet tutje në artikullin e “Epe.es”./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!