Njoftoi grupin për aksionin antidrogë/ Biseda me ‘Visin e Pazarit’ që çoi në pranga efektivin e policisë

schedule12:52 - 23 Mars, 2024

schedule 12:52 - 23 Mars, 2024

Ervis Shkurta efektivi i operacionales u arrestua pasi u zbulua përfshirja e tij në trafikun e drogës. Sipas burimeve, efektivi i Forcave Operacionale Ervis Shkurta prej kohësh ishte i lidhur me grupet kriminale që merren me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Nga hetimet është mësuar se mbrëmjen e së enjtes ku antidroga arrestoi 3 të rinjtë, Shkurta ishte afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij ndërhynë, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën që të largohen me shpejtësi.

“ABC News”, mëson se emri i tij ka dalë pas zbërthimit të celularëve ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person me emrin ‘Visi i Pazarit’. Ky i fundit lidhej me një numër anglez në aplikacionet celulare me të arrestuarit ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve. Ndërkohë vijojnë kontrollet për gjetjen e celularit me numër anglez të Ervis Shkurtës. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person si i përfshirë në skemën e trafikut të drogës.

I marrë në pyetje nga grupi hetimor, efektivi ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me grupet kriminale dhe ishte i përfshirë në shkëmbimin e drogës duke përfituar shuma të mëdha parash.

Nga aksioni i policisë zhvilluar të enjten në mbrëmje u arrestua, Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, Enea Sulejmani i cili ishte shoferi i mjetit tip “Tiguan”.

Ky i fundit tentoi të shtypte me makinë efektivët e policisë teksa u afruan për t’i arrestuar gjatë një operacioni antidrogë.

Në këto kushte efektivët e policisë kanë qëlluar me armë zjarri duke plagosur në këmbë në kushtet e vetëmbrojtjes . Bashkë me Sulejmanin janë arrestuar edhe dy të rinj, Shkëlqim Ostreni  dhe Igli Begaj.

Antidroga e Tiranës i kishte prej kohësh në ndjekje këta persona. Tre të rinjtë dyshohen si furnizues kokaine.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!