Njeriu i ndeshjeve derbi që ofendoi Fergusonin, njihuni me të çuditshmin Kanchelskis

schedule11:31 - 3 Janar, 2022

schedule 11:31 - 3 Janar, 2022

Andrei Kanchelskis, një futbollist i njohur në vitet ’90, kampion në Anglinë dhe një nga ata lojtarë që ka provuar të aktivizohet me ish-Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë. I lindur në Ukrainë, karrierën e nisi me Dinamo Kyiv dhe më pas kaloi te Shakhtar Donetsk, për të kaluar të Manchester United në vitin 1991. Katër sezone me “Djajtë e kuq” dhe dy tituj kampionë të fituar, ndërkohë që shënoi edhe 28 gola.

Kanchelskis, tani 51 vjeç, e ka shkruar emrin e tij në histori për nëj fakt të veçantë: ka shënuar në derbin e Gllasgou, Liverpool dhe Manchester. Një personazh që ka pasur goxha për të rrëfyer dhe ka botuar edhe një libër. Ai zbulon shumë gjëra, madje që as nuk e dinte se te cili Manchester po transferohej kur shkoi në Angli.

“Kur shkova në Angli në vitin 1991, askush nuk ma tha emrin e klubit ku po firmosja. Pyeta menaxherin që më çoi dhe ai më tha ‘Te Manchesteri’. E pyeta te cili Manchester dhe u përgjigj ‘Nuk e di’. Kur zbritëm në Manchester, më çuan me makinë në ‘Old Trafford’ dhe aty e kuptova se po shkoja tek United”, rrëfen Kanchelskis në librin e tij.

 

Gjërat nuk nisën mirë. Ish-futbollisti tregon që as këpucë nuk kishte për në seancën e parë. I vendosur në kushte të vështira “sajoi” një palë emergjence. “Kur takova për herë të parë Alex Ferguson, më tha “Nesër paraqitu në stërvitje”. Askush nuk më tha që do dilja direkt në stërvitje, nuk kisha marrë asgjë me vete.

Më duheshin këpucë futbolli, dola të blija një palë, por ishin të tmerrshme, nuk më bënin. Luajta shumë keq në një miqësore ditën tjetër, por për fat e kisha firmosur kontratën”, tregon ukrainasi, i cili kishte kaluar në një klub që në Ish-Bashkimin Sovjetik nuk ishte shumë i njohur. Sulmuesi anësor po kalonte në një klub që aty do niste të bëhej fitues dhe të thyente dominimin e Liverpool.

 

“Nuk kishte shumë informacion për futbollin anglez kur isha i ri. Natyrisht, e dija kush ishte Manchester United – Denis Law, Bobby Charlton, Matt Busby e George Best – por në vitin 1991 ishte i famshëm vetëm Liverpool. Ata po dominonin në Angli. Më pas ndryshoi gjithçka, jam krenar që isha pjesë e United që solli ndryshimin epokal”, shton Kanchelskis.

Ish-futbollisti duhet të mësohej me shumë gjëra të reja në Angli: “Kishte shumë gjëra për të mësuar: mentaliteti, ushqimi, gjuha, drejtimi i makinës në krahun e kundërt të rrugës. Të paktën futbolli ishte njësoj, unë kisha mësuar të luaja te Dinamo Kievi e Valeri Lobanovskit, 4-4-2 me dy anësorë shumë ofensivë, njësoj si Ferguson”.

 

Me këtë të fundit ai ka lënë edhe një të fortë, duke e ofenduar: “Kur shkova tek United, shokët e skuadrës më mësuan si t’i drejtohesha trajnerit në stërvitje. Unë nuk dija fare anglisht. Ferguson më doli përpara në korridor dhe më tha “Andrej, si po ecën?”.

Unë ia ktheva “Pirdhu, bastard skocez!”. Ferguson ngriu në vend dhe u nxi në fytyrë, ndërsa nga dhomat e zhveshjes u dëgjuan të qeshurat e lojtarëve. Për fatin tim, edhe Ferguson qeshi… Asnjë sherr, të sqarohemi”, shkruhet mes të tjerash në librin autobiografik të ukrainasit. Në sezonin 1991/92 United humbi titullin në fund, por Sir Alex u kishte dhënë zemër.

“Pasi fituam ndeshjen tonë të fundit, Fergusoni erdhi në dhomat e zhveshjes dhe na tha: “Sezon madhështor. Mos u mërzitni, do ta fitojmë titullin sezonin e ardhshëm”. Kishte të drejtë. Në vitin 1994 duhet të fitonim tripletën.  Ishte sezon i madh, fituam kampionatin dhe Kupën FA, por humbëm në finalen e Kupës së Ligës kundër Aston Villa – E mbaj mend mirë sepse dola me karton të kuq për prekje të topit me dorë”, shkruan  Kanchelskis.

 

Sigurisht në librin e tij nuk mund të mungojë një koment në lidhje me atë që Erick Cantona bëri, duke goditur një tifoz në shkelm. Si e kujton ish-sulmuesi anësor atë episod?  “Heshtje totale. Ishte viti 1995, ndeshja kundër Crystal Palace. Pas gjestit ndaj tifozit, Cantona ishte i dëshpëruar dhe në dhomat e zhveshjes nuk pipëtinte asgjë. Kujt ia mbante të fliste?”.

Veçse të merrte krahun dhe të shënonte gola, Andrei kishte edhe një talent: këndonte mirë. “Nuk jam këngëtar, por kam qenë i pari në renditjen e këngëve më të mira në Angli në vitin 1994. Bëhet fjalë për këngën ‘Come On You Reds’ (me grupin Status Quo), që e regjistruam me skuadrën, gjë që e bënin shumë klube në atë kohë”.

Një e veçantë tjetër e Kanchelskis ishte fakti që luajti për tre shtete: “Isha pjesë e Bashkimit Sovjetik, por në Euro 1992 Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë dhe luajtëm si CIS (Bashkimi i Shteteve të Pavarura). Gjithçka ishte e çuditshme, nuk kishim as himn. Më pas duhej të zgjidhja, zgjodha Rusinë para Ukrainës. Më thanë shumë gjëra të këqija më pas, pasi kisha lindur në Ukrainë. Megjithatë nuk isha i vetmi, Ukraina nuk luante dot në USA 1994 dhe 6 lojtarë të lindur në Ukrainë zgjodhën të luanin për Rusinë”.

 

Në librin e tij sigurisht Kanchelskis flet edhe për golat në tre derbi të ndryshëm, si dhe ngacmon një lojtar që u bë më pas u bë yll te Manchester United. “U largova në 1995, edhe pse Ferguson u përpoq të më bindte të qëndroja. Gabova, por kur ika unë nisi të luante Beckham. Po të qëndroja, ndoshta askush nuk do e kishte dëgjuar emrin e Beckham.

“Golat në derbi? Kur ika nga United, më kërkonte Arsenali. United refuzoi prerë, sepse ishte rivali direkt. Shkova tek Evertoni dhe dy golat e parë që shënova erdhën në ‘Anfield’, në derbi. Kam pasur fat, kam shënuar në ndeshjet derbi të Mançesterit, Liverpulit dhe Gllasgout”, tregon Kanchelskis, i cili fitoi edhe titullin me Rangers, si dhe provoi një eksperiencë në Serie A me Fiorentinën, përveçse në Angli ku u aktivizua edhe me Manchester City dhe Southampton, deri kur mbylli karrierën në vitin 2006 me rusët e Krylia Sovetov. /abcnews.al