Njëlloj si gjermanët dikur, ne rusët do t’i vuajmë rëndë pasojat e luftës që nisi Putin

schedule16:24 - 7 Mars, 2022

schedule 16:24 - 7 Mars, 2022

Nga Leonid Bershidsky “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës do të ketë pasoja serioze për shumë njerëz. Mbi të gjitha për ukrainasit, ata që po ikin nga vendi, dhe ata që kanë qëndruar për të luftuar kundër ushtrisë pushtuese. Por efektet do të jenë të mëdha edhe tek rusët, pavarësisht nëse e kuptojnë apo jo për momentin.

Ka ardhur koha që ne, qytetarët e shtetit agresor, të provojmë atë që përjetuan gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Ky krahasim mund t’u duket shumë njerëzve si i ekzagjeruar. Tek e fundit, nazistët kryen një gjenocid në një shkallë shumë të gjerë, rrafshuan shumë qytete dhe ngritën kampet e vdekjes.

Është e vështirë që Putin të krahasohet me çmendurinë vrasëse të Hitlerit. E vështirë pasi sot jemi një vitin 2022, dhe jo në vitet 1940. Krimet e luftës së Putin dokumentohen në çast në mediat sociale, dhe ndjeshmëria e audiencës globale ka ndryshuar.

Pavarësisht se sa i kufizuar mund të jetë bombardimi ndaj civilëve, ai është i pafalshëm që në momentin kur raketa e parë shënjestron një zonë banimi. Për shkak të sasisë së madhe të provave, nuk ka nevojë që Rusia ta humbasë luftën, që të mbahet përgjegjëse për këto krime.

Shumë rusë, veçanërisht ata që po largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar histerisë zyrtare të luftës dhe pasojave ekonomike si pasojë e sanksioneve të paprecedenta të Perëndimit, nuk e fajësojnë veten për këtë luftë. Ashtu si shumë rusë të famshëm që kanë postuar në rrjetet sociale fjalët “Jo luftës” apo “Unë jam për paqen” pa ndërmarrë hapin tjetër – pra të bëjnë thirrje për t’i dhënë fund agresionit të çmendur të Putinit – nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi personale për lagjet e rrafshuara në Kharkiv apo Mariupol.

Shumë prej tyre shkruajnë “Unë nuk kam votuar asnjëherë për Putin”, “Çfarë lidhje kam unë me këtë? Unë jam kundër luftës!”. Sigurisht që literalisht që të gjitha këto janë thirrje për paqe. Madje edhe vetë Putin thotë se pro paqes.

Edhe Hitleri foli për “dashurinë e tij për paqen”, dhe synimin e tij për të “vendosur paqen në kufirin lindor” gjatë fjalimit që mbajti në Reichstag më 1 shtator 1939. Megjithatë, përgjegjësia individuale varet nga ajo që dikush ka bërë për ta bërë të pamundur luftën.

Dhe përgjegjësia kolektive buron nga paaftësia e një shteti për të shmangur diktaturën, që siç po e shohim tani, nuk mund të mos çojë drejt luftës. Kjo është logjika pas tendencës së shumë ukrainasve për ta fajësuar popullin rus për këtë luftë, dhe jo vetëm Putinin.

Një sondazh i ri nga kompania Rating Group në Ukrainë, tregon se 38 për qind e të anketuarve mendojnë se rusët si komb mbajnë përgjegjësinë për luftën. Kjo shifër shkon deri në 42 për qind në Ukrainën Qendrore dhe 46 për qind në perëndim të vendit.

Në vitin 2014, kur sapo kisha emigruar nga Rusia për shkak të kundërshtimit tim ndaj aneksimit të Krimesë, u indinjova kur ukrainasit më thanë se ikja ime nga atdheut nuk e fshinte përgjegjësinë time mbi atë që kishte ndodhur.

Unë isha i sigurt se nuk mund të kisha bërë asgjë më shumë për ta ndryshuar natyrën e regjimit rus. “Shkoni vetë ta luftoni Putinin”- iu përgjigjesha me nervozizëm ukrainasve që më akuzonin. Tani që e kujtoj këtë ndjehem shumë i turpëruar, pasi teksa po shkruaj ata po luftojnë kundër Putinit.

Ndërkohë ne rusët nuk e bëmë këtë edhe kur nuk ishte aq e rrezikshme sa në klimën aktuale të shtypjes mizore. Kur Hitleri u ngjit në pushtet në Gjermani në vitin 1933, ai e bëri atë me forcën e 44 për qind në rang kombëtar, gjë që do të thotë se shumica e gjermanëve nuk e mbështetën.

Vetëm një vit më parë, ai nuk kishte as 1/3 e votave. Nuk ishte vonë për ta ndaluar, por shumë pak gjermanë u angazhuan që ta bënin këtë. Kjo është e vërtetë edhe për ne rusët.

Ne toleruam hapur zgjedhjet e manipulara (edhe protestat tona në vitin 2011, ndonëse ishin shumë të mëdha, ishin tepër të buta për të qenë domethënëse).

Ne toleruam më pas edhe mbylljen graduale të mediave të pavarura. Ne mbyllën sytë përballë korrupsionit masiv dhe “edukimit patriotik” gjithnjë e më histerik të fëmijëve tanë. Ne heshtëm edhe kur qeveria ruse u bë i vetmi lojtar ekonomik kuptimplotë, edhe teksa u forcua shteti policor, duke u ushqyer nga pafuqia jonë dhe kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që abuzojnë me detyrën.

Në përgjithësi u pajtuam me pushtimin e Krimesë. Në atë kohë shumë nga ne shijuan panoramën e “normalitetit”, veshjet firmato që vinin nga Perëndimi, klubet, rrokaqiejt, teknologjinë, paratë. Tani, gjithçka është shembur si një fortesë prej letre, siç ka qenë në fakt gjithmonë.

Ne u shndërruam në skllevërit pasivë të Putinit, ose mbetëm si spektatorë të pafuqishëm edhe jashtë kufijve të vendit duke e racionalizuar dhe normalizuar atë që po ndodhte në shtëpi. Edhe unë vetë. Jemi ne të gjithë që bëmë të mundur kulturalisht “modelin Putin”, edhe pse verbalisht u distancuam prej tij.

Ne e lejuam atë të vendoste rregullat,dhe vetë u kapëm pas iluzionit se nuk po luanim atë lojë. Pra nuk ka asnjë rëndësi që kam qenë kundër të gjithave. Unë jam fajtor pse nuk kam bërë aq sa duhet për ta vënë më në dukje protestën time. Unë u largova nga Rusia në vend se të luftoja kundër Putinit.

Kjo më bën përgjegjës. Edhe ata që nxitojnë të ikin tani nga Rusia – shumë njerëz që njoh po braktisin gjithçka dhe udhëtojnë me makina gjithë natën deri në kufi – nuk mund ta shmangin përgjegjësinë e përbashkët.

Kur Hitleri e humbi luftën dhe aleatët fitimtarë nisën t’ua bënin të qartë gjermanëve, përfshirë civilëve, se ata ishin bashkëpërgjegjës për mizoritë e tij, shumë prej tyre kundërshtuan se ata nuk i kishin mbështetur asnjëherë nazistët, se nuk do t’i kishin miratuar mizoritë e tyre dhe as që kishin dijeni për to.

Ata vuajtën nga ajo që psikologët Alexander dhe Margarete Mitscherlich e quajtën “paaftësia për t’u pikëlluar” mbi viktimat e krimeve naziste. Ky lloj pikëllimi u zhvendos nga keqardhja për humbjet e tyre. “Gjermanët nuk shfaqin asnjë gjurmë të ndjenjës së përgjegjësisë, dhe lëre më pastaj të ndihen fajtorë.

Ata nuk arrijnë të kuptojnë se mjerimi i tyre aktual, është rezultat i pashmangshëm i asaj që i ka bërë botës vitet e fundit populli gjerman”-shkroi shkrimtari Klaus Mann pas kthimit të tij nga SHBA-ja në Gjermani. Parashikimi i tij i zymtë në letrën drejtuar babait të tij, shkrimtarit të famshëm Thomas Mann, ishte se “ky komb do të gjymtohet fizikisht dhe moralisht për breza të tërë”.

Në një farë mënyre ai kishte të drejtë:simptomat e shpërfytyrimit moral nuk janë zhdukur ende sot. Dhe unë shoh të njëjtat simptoma tek shumë rusë me të cilët komunikoj. Mjerisht në këtë epokë të vëmendjes së pakët, rusët ka të ngjarë të mos kritikohen më aq shumë 1 apo 2 vite pas përfundimit të luftës, pavarësisht se kush e fiton atë në kuptimin ushtarak. Qëndrimi shumë kritik do të vazhdojë të ekzistojë vetëm në Ukrainë:Qytetet e shkatërruara dhe ushtarët e vdekur nuk do të harrohen për breza.

*Marrë me shkurtime