Një vit nga vrasja e gazetarit, qytetarët sllovakë sërish në protestë

schedule23:34 - 21 Shkurt, 2019

schedule 23:34 - 21 Shkurt, 2019

Një vit nga protestat që çuan në rrëzimin e kryeministrit, qytetarët në Sllovaki kanë manifestuar sërish për të kërkuar zbardhjen e vrasjes së gazetarit Jan Kuçiak, që denonconte aferat e qeverisë me krimin e organizuar.

Disa mijëra qytetarë sllovakë u mblodhën të enjten në përkujtim të vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuçiak dhe së fejuarës së tij. Ata marshuan në shenjë proteste ndaj mungesës së progresit në hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe të aferave të cilat reporteri denonconte në shkrimet e tij. Turma të ndryshme u mblodhën në kryeqytet dhe qytete të tjera nga shoqata “Për një Sllovaki më të mirë”, e themeluar nga një grup studentësh dhe organizatash joqeveritare që kërkojnë një hetim të mirëfilltë të ngjarjes së një viti më parë, si dhe një qeveri më të besueshme. “Nëse duam të ecim përpara, atëherë duhet të mësojmë emrat e atyre që urdhëruan këtë vrasje monstruoze”, deklaroi një nga organizatorët e manifestimeve. Ndonëse për pjesëmarrjen në tubime nuk ka një shifër konkrete, turmat këtë herë kanë qenë më të vogla se ato të një viti më parë, që çuan në rënien e kryeministrit Robert Fiko pas një dekade në pushtet dhe në një riformatim të qeverisë. Jan Kuçiak, 27 vjeç, u qëllua me armë zjarri bashkë me të fejuarën e tij në atë që prokurorët e cilësuan një vrasje me pagesë. Në shkrimet e tij gazetari denonconte afera të mafies italiane me elementë të qeverisë sllovake, që më vonë rezultuan se ishin njerëz të afërt me ish-kryeministrin Fiko. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!