“Një shtrat plot me të huaj” është komedia që do të vihet në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Tre nga aktorët e shfaqjes, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku dhe Selma Bakalli kanë ndarë detaje të ftuar në “ABC e Mëngjesit”, duke thënë se nuk do të ketë vetëm aktrim, por kërcim dhe muzikë.
Ata kanë theksuar se trupa ka një energji të mirë dhe kjo duket që në pamje.
“Prapë, komedi, nuk e di arsyen pse. Është një zgjedhje e regjisores Adelina Muca. Është një komedi angleze dhe ajo që është e rëndësishme është që trupa ka një energji të mirë dhe kënaqemi”, tha Romiri.
“Unë jam këngëtare dhe aktore, gjithashtu studioj, kjo për mua është shfaqja e parë dhe shpresoj mos të jetë as e fundit. Shfaqja është përkthyer nga përkthyesi Kastriot Çipi, të cilin e falenderojmë shumë. Falenderojmë dhe koreografin Aldo Aliaj dhe muzikantin Ermal Laho”, u shpreh Selma.
“Kjo shfaqja jonë është bashkëpunim mes Teatrit Aleksandër Moisiu dhe shoqatës Viktoria të aktores Rudina Dembacaj. Nuk ka vetëm interpretim, ka kërcim, ka këngë, ka gjithçka”, tha Mimoza./abcnews.al