Një shifër gabim, përjashtim nga ndihma ekonomike

schedule15:30 - 2 Mars, 2018

schedule 15:30 - 2 Mars, 2018

Familjet e përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike që pas verifikimeve në terren kanë rezuluar në nevojë mund të riaplikojnë për ta përfituar pagesën pranë bashkive. Grupet e punës në terren kanë verifikuar se sistemi ka penalizuar persona për shkak të plotësimit të gabuar të formularit të vetëdeklarimit.

Një shifër e shkruar gabim apo një e dhënë e munguar në formularin e vetëdeklarimit ka bërë që shumë familje të varfra të përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike.
Shkakun e penalizimeve nga sistemi elektronik sipas Drejtoreshës së Përkujdesit Social e kanë nxjerrë në pah verfikimet që po kryhen në terren.

“Shërbimi Social ka verifikuar shumë raste që janë shkruar në mënyrë tjetër dhe që kanë penalizuar familjen. Ky është muaji i parë i shtrirjes së skemës së re. Administratorët shoqërorë pavarësisht se janë trajnuar shfaqin vështirësi në plotësimin online. Verifikimet po bëhen në terren.”

Familjet e përjashtuara nga skema, të cilat pas verifikimeve në terren rezultojnë në gjendje të vështirë ekonomike për të përfituar këtë ndihmë mund të riaplikojnë pranë bashkive.

“Skemë alternative për ato që refuzohen nga ndihma. Bashkitë kanë marrë fond për këtë dhe verifikimi dhe ofrojnë mbështetje për 2 muaj. Kriteret i vendos Bashkia, por kusht është lista e të refuzuarve”.

Ndërkohë për të dalë nga gjendje e vështirë ekonomike, drejtoresha Seferi shpjegon se shteti ofron edhe alternativa të tjera.
“Nëse ka familje të refuzuara, kryefamiljari merret në telefon dhe i gjenden 3 alternativa punësimi. Ofrohen kurse të formimit profesional tre muaj, paguhesh për t’i frekuentuar.”

Familjet e përfshira në skemë veç ndihmës ekonomike përfitojnë dhe subvencione të tjera si p.sh për energjinë elektrike apo arsimimin e fëmijëve. Ndërkohë, gjendja ekonomike e përfituesve verifikohet dy herë në vit, ndërsa mbrojtjen përmes skemës së re të ndihmës ekonomike shteti nuk ta ofron për më shumë se pesë vjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!