Një rrëmujë në një kishë në Liberi vret 29 besimtarë

schedule03:47 - 21 Janar, 2022

schedule 03:47 - 21 Janar, 2022

Të paktën 29 persona, përfshirë 11 fëmijë dhe një grua shtatzënë, kanë vdekur në një rrëmujë në një shërbim të hapur kishtar Pentekostal në Liberi. Mbledhja e njohur si një kryqëzatë po mbahej në një zonë me popullsi të dendur buzë plazhit të kryeqytetit.

Policia thotë se anëtarët e një bande kriminale hynë në terrenin e lutjes të mërkurën mbrëma në momentin që ngjarja po përfundonte, duke shkaktuar panik. Disa prej tyre ishin të armatosur me thika dhe një person është arrestuar. Qindra njerëz ishin në tubimin në periferi të qytetit të ri Kru të Monrovias, organizuar nga një pastor me ndikim i njohur si Apostulli Abraham Kromah.

Ai drejton një kishë të quajtur Word of Life Outreach International, sëbashku me një stacion radio. Ndjekësit e tij besojnë se ai është në gjendje të shërojë dhe të ndihmojë njerëzit përmes lutjeve të tij. Zëdhënësi i policisë Moses Carter i tha “BBC-së” se predikuesi po merrej në pyetje për të ndihmuar oficerët me hetimet e tyre. Presidenti George Weah vizitoi terrenin ku ndodhi ngjarja që është një fushë futbolli shkolle dhe shpalli tri ditë zie kombëtare.

Ai tha se rregulloret duhet të vendosen për të siguruar që shërbime të tilla të mbahen në një mjedis të sigurt. Liberia ende po merret me trashëgiminë e një lufte civile që përfundoi zyrtarisht në 2003, në të cilën mijëra fëmijë ushtarë u detyruan të luftojnë. Në vitet e fundit sulmet nga bandat e rrugëve janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në qytetet e Liberisë. / abcnews.al