Dyshimi se Princesha Amalia e Oranzhit, e bija e mbretit William dhe Maxima të Holandës , është shënjestër e krimit të organizuar, ka bërë që Qeveria të reduktojë në mënyrë drastike lëvizjet e saj, deri në atë pikë sa thuajse ta mbyllë atë në shtëpinë e saj. Ajo largohet për të shkuar në universitet, në Amsterdam dhe më pas kthehet në pallatin Huis ten Bosch, rezidenca zyrtare e familjes mbretërore, në Hagë. Këtë e thanë prindërit e saj javën e kaluar gjatë një vizite zyrtare në Suedi.
Policia dhe Ekzekutivi holandez qëndrojnë të heshtur, ndërsa ekspertët e sigurisë dhe terrorizmit i japin besueshmëri kërcënimit dhe e shohin si “shumë të mundshme” që sfida të vijë nga grupe kriminale të lidhura me trafikun e drogës. Është një kërcim cilësor i paprecedentë në një vend në të cilin kriminelët kanë kaluar nga hesapet mes anëtarëve apo rivalëve të tyre në sfidën e demokracisë. Kryeministrit Mark Rutte, i cili shpesh shkon me biçikletë në punë, i është dashur të pranojë gjithashtu mbrojtje të shtuar nga kërcënimet për jetën.
“Ky lloj kërcënimi u konsiderua praktikisht i pamundur disa vite më parë”, thotë në telefon sociologu Paul Schnabel, duke iu referuar situatës së princeshës Amalia. Trashëgimtarja e fronit po studion për Politikë, Psikologji, Drejtësi dhe Ekonomi, dhe Rutte ka siguruar se “po bëhet gjithçka që është e mundur për ta zgjidhur problemin shpejt”. “Edhe pse nuk mund të garantoj kohën”, paralajmëroi ai.
Nuk është përjashtim që nëpunësit publikë marrin ndonjë kërcënim për funksionin ose menaxhimin e tyre, por në këtë rast “mungon elementi ideologjik ose një objektiv i qartë politik”, thotë Jelle van Buuren, një eksperte sigurie në Universitetin e Leiden. “Kur objektivi nuk është më paraja, por shteti, simbolet dhe institucionet e tij, mund të konsiderohet një formë terrorizmi,” thotë ai. Përforcimi i sigurisë për përfaqësuesit e shtetit nisi të vihej re në shtator, kur gazeta De Telegraaf publikoi se “kryeministri dhe princesha i referoheshin mesazheve të koduara nga krimi i organizuar për një sulm apo rrëmbim të dyshuar”.
Erwin Bakker, profesor i Studimeve të Terrorizmit në të njëjtin universitet holandez, ndan mendimin e kolegut të tij. Atij i duket gjithashtu se të frikësosh në këtë mënyrë kreun e ardhshëm të shtetit dhe kryeministrin do të thotë “të hysh në një realitet të ri që e vë në rrezik Holandën në të njëjtin nivel me shtetet e tjera”. “Ndoshta ndihemi larg vendeve si Meksika apo Italia, ku kemi parë krime mafioze, por kjo është një formë e mohimit të realitetit. Qeveria e ka kuptuar se krimi i organizuar kërcënon rendin juridik dhe se duhet të investojë më shumë në siguri”.
Vrasja e De Vries, një pikë kthese
Të dy ekspertët e shohin vdekjen me armë zjarri në korrik 2021 të reporterit investigativ Peter R. de Vries në qendër të Amsterdamit si një pikë kthese. Janë arrestuar dy autorë materialë të sulmit, por ende nuk ka një dënim pasi janë duke u hetuar edhe tre të dyshuar të tjerë. Sulmi vdekjeprurës u filmua nga kriminelët dhe Bakker kujton se prokurori ka theksuar se “mund të flitet për qëllime terroriste”. Kjo “na detyron të rivlerësojmë vetë përkufizimin e terrorizmit, sepse jemi dëshmitarë të një kërcënimi kundër demokracisë dhe shtetit të së drejtës”. Është hera e parë që një krim i këtij lloji klasifikohet si akt terrorist. Prokuroria vlerëson se “vrasja është kryer për të trembur popullatën”.
De Vries, 64 vjeç, ishte i besuari i dëshmitarit të akuzës në çështjen Marengo, një gjyq kundër anëtarëve të dyshuar të të ashtuquajturës Mocro Mafia, kushtuar trafikut të drogës. E formuar nga disa banda, anëtarët e saj janë holandezë, gjithashtu me origjinë turke dhe marokene (nga këtu edhe termi mokro), antileas, suriname dhe shqiptarë. Ato operojnë kryesisht në portet e Antwerpen, në Belgjikë dhe në Amsterdam, megjithëse rrjeti i tyre i kontakteve është ndërkombëtar. Një nga drejtuesit kryesorë të saj është Ridouan Taghi, i mbyllur në një burg të sigurisë maksimale në jug të Holandës. Në vitin 2019 pati një tjetër krim lidhur me këtë mjedis që tronditi shoqërinë holandeze: vrasja e avokatit 44-vjeçar Derk Wiersum, i cili mbrojti të njëjtin dëshmitar që i besoi De Vries. Dy vjet më vonë gazetari u vra.
Veprimi i krimit të organizuar kundër autoriteteve shtetërore shtrihet përtej kufirit të Holandës. Katër shtetas holandezë u arrestuan në shtator në dhe rreth Hagës pasi policia gjeti një makinë me armë dhe shishe benzine në Belgjikë. Automjeti ishte me targë holandeze dhe u gjet përballë shtëpisë së ministrit belg të drejtësisë, Vincent van Quickenborne. Mediat belge theksuan se politikani, i cili kaloi disa ditë me siguri të përforcuar, kishte marrë kërcënime serioze nga “bota e drogës”.
Sipas Van Buuren, “krimi i organizuar është i vështirë të luftohet kudo dhe Holanda ka një pozicion të privilegjuar gjeografik për transportin dhe prodhimin e produkteve të të gjitha llojeve; edhe droga”. “Ne kemi aeroportin Schiphol dhe portin e Roterdamit, lidhje të shkëlqyera dhe rrugë të mira,” thekson ai. Por deri në vdekjen e avokatit dhe gazetarit, shoqëria holandeze besonte se këta lloj kriminelësh vetëm vranë njëri-tjetrin, thotë eksperti. Bakker e vendos kërcënimin e krimit të organizuar si një nga sfidat kryesore të vendit: “Dhuna e krimit të organizuar minon rendin ligjor demokratik,” thekson ai.
Të dy ekspertët bëjnë thirrje për një debat kombëtar sepse, sipas Bakker, “problemi social dhe i krimit” në vend nuk është trajtuar mjaftueshëm deri më tani. Van Buuren shton: “Ka dallime në Parlament për legalizimin e drogës, por jo aq për çështjet e sigurisë: duhet të flasim”. /abcnews.al/