Premtuan një rezultat pozitiv në transfertën e Astana dhe ashtu ndodhi. Pavarësisht se nuk arritën të siguronin 3 pikët e plotë, Ballkani i Ilir Dajës arriti të sigurojë barazimin 0 me 0, në transfertën e Astana, me “Dardanët” që sigurojnë kështu 1 pikë tejet të vlefshme për kualifikimin në raundin e mëtejshëm të kompeticionit.
Pas ndeshjes përveç teknikut Ilir Daja, një koment mbi ndeshjen e bëri edhe “fantazisti” i skuadrës, Nazmi Gripshi, i cili u ndal dhe te rasti flagrant që humbi në minutat e fundit të sfidës, ku mund t’i kishte dhënë fitoren “Dardanëve” të tij.
“E vërtetë që kemi bërë ndeshje nga më të mirat jashtë fushës. Sot mungoi vetëm goli. Kemi dominuar në shtëpi të Astanës, e kemi mbajtur ne topin. Na mungoi fati. Pata rast të mirë por futbolli është kështu. Nuk shënova dot, por ishte edhe meritë e portierit. Pata hapësirë, gjuajta, duhej të shënoja, por fati nuk ishte me ne. Sot treguam se jemi ekip më i mirë, por ndonjëherë nuk mjafton vetëm loja e mirë. Duhen konkretizuar rastet”,- u shpreh Gripshi. /i.m /abcnews.al