Një nga njerëzit më të kërkuar në Britani është arrestuar në aeroportin e Lisbonës pasi tentoi të hynte në vend me një pasaportë të falsifikuar.
Trafikanti i dyshuar i drogës dhe pastruesi i parave Alex Male thuhet se u arrestua teksa zbriste nga avioni.
Shërbimi Portugez i Kufijve dhe Imigracionit (SEF) ka konfirmuar se “një i arratisur britanik 30-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së shtunës.”
Ai tha në një deklaratë: “Pas grumbullimit të të dhënave biometrike dhe konsultimit me bazat e të dhënave në dispozicion të SEF-it, u ngrit një alarm për një individ në bazën e të dhënave të Interpolit. Përveç konfirmimit të shtetësisë së shtetasit, u zbulua se ishte në pritje një urdhër arresti ndërkombëtar.”
Male, nga Weston-super-Mare, Somerset verior, u cilësua si një nga të arratisurit më të kërkuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit në janar.
Detektivët zbuluan në atë kohë se ai dyshohej se përdorte një platformë komunikimi të koduar për të shpërndarë drogë në të gjithë rajonin.
Ai akuzohet për furnizim me kokainë dhe ketaminë, pastrim parash, konspiracion për të blerë armë zjarri.
Steve Reynolds, menaxheri rajonal i NCA-së në Spanjë, ku mendohej se Male ishte fshehur, tha: “Alex Male dyshohet se përdor EncroChat për të orkestruar pazare droge me grupe kriminale në të gjithë Jugperëndimin e Anglisë.”
“Ky lloj kriminaliteti ka një ndikim shkatërrues në komunitetet tona dhe ai duhet të përballet me drejtësinë.”
Male, do të dërgohet në gjykatë në Lisbonë për një seancë ekstradimi pas dyerve të mbyllura, ku do të pyetet nëse pranon të kthehet në Britani./abcnews.al/