Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kosovë

schedule07:32 - 9 Mars, 2023

schedule 07:32 - 9 Mars, 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Z.A, që dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Z.A, me nacionalitet serb, u arrestua më 7 mars, dhe sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai dyshohet se në mars të vitit 1999, në stacionin policor në Kamenicë, si person zyrtar, së bashku edhe me policë të tjerë serbë, fillimisht kishin rrahur “me shufra gome dhe shqelma” dhe më pas kishin torturuar “në mënyrë çnjerëzore” të dëmtuarin me iniciale B.M.

Sipas Prokurorisë Speciale, i dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda dhe i ishte “kanosur seriozisht jeta” gjatë dhunës së ushtruar që thuhet se ka zgjatur për një orë e gjysmë.

I arrestuari po ashtu dyshohet se në periudhën shkurt-mars 1999, ka marrë pjesë në “dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ai ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”.

Kundër vendimit të 8 marsit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, palët mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!