Zyra e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për babanë e 13-vjeçarit që vrau tetë nxënës dhe një roje në shkollën fillore “Vladisllav Ribnikar” në Vraçar më 3 maj.
Zyra e Prokurorisë tha më 5 maj se babai i nxënësit të klasës së shtatë, u mor në pyetje pasi ai, i identifikuar me inicialet V.K, u akuzua për “akte serioze kundër sigurisë së përgjithshme”, shkruan REL.
Siç ishte njoftuar paraprakisht “Zyra e Prokurorisë do t’i propozojë gjykatës që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit, në mënyrë që të mos ketë ndikim te dëshmitarët dhe që të mos e përsëris veprën brenda një kohe të shkurtër dhe për shkak të ankthit të shkaktuar te publiku”.
Prokuroria tha se babai i 13-vjeçarit “gjatë seancës mohoi se ka kryer krimin” dhe se “paraqiti në detaje mbrojtjen e tij”.
“Dyshohet se V.K ka trajnuar djalin e tij për të përdorur armët e zjarrit dhe municionet duke e marrë me vete në shoqatën e qitësve për të ushtruar që të gjuajë me armë zjarri, pavarësisht faktit se ai është 13 vjeç dhe aktivitete dhe trajnime të tilla nuk janë të përshtatshme për moshën e tij”, tha Prokuroria në Beograd.