DOKUMENTI/ Një ministre dhe deputetët e Berishës nuk votuan vettingun, 4 demokratët “dezertorë” dhe hezitimi i Dumës: Çfarë nuk u pa nga seanca e djeshme

schedule15:34 - 11 Shkurt, 2022

schedule 15:34 - 11 Shkurt, 2022

Parlamenti miratoi dje me 118 vota pro, 4 abstenim dhe asnjë kundër ndryshimet në Kushtetutë që i hapin rrugën zgjatjes me dy vite të mandatit të organeve të vettingut si KPK dhe Komisioneri Publik. Shumica u arrit falë bashkimit të votave dhe socialistëve pas ditësh të etheshme negociatash dhe lëshimësh mes palëve.

Por çfarë ndodhi pasditen e djeshme në Kuvend dhe si u pasqyrua ku votim në të dhënat elektronike të këtij institucioni?

Referuar databazës së Kuvendit, rezulton se të gjithë deputetët mbështetës të Berishës nuk morën fare pjesë në votim, ndryshe nga sa kishin deklaruar se do të votonin kundër. Edhe vetë Berisha nuk ka marrë pjesë farë në votim.

Sipas të dhënave elektronike, nuk kanë votuar për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut Sali Berisha; Luan Baçi; Luçiano Boçi; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici; Sorina Koti; Bujar Leskaj; Flamur Noka; Edmond Spaho; Agron Shehaj; Tritan Shehu; Albana Vokshi. Të gjithë këta nuk kanë votuar asnjërin prej tre projektligjeve të miratuar dje, raporton abcnews.al.

Ndërkohë, sipas procesverbalit të Kuvendit, votë “pro” nuk dha as ministrja Belinda Balluku edhe pse sipas administratës së këtij institucioni ajo ishte prezente në sallë.

Edhe pse nuk ka votuar për vettingun, rezulton se Balluku ka dhënë votë “pro” për ngritjen e komisioneve për Reformën Territorial dhe atë Zgjedhore.

Kliko KËTU për të parë procesverbalin e plotë

Katër deputetë të tjerë nuk kanë shprehur vullnetin e për këtë projektligj pasi nuk kanë qenë fare të pranishëm, ata janë Alfred Rushaj; Edi Paloka; Tomor Alizoti dhe Flutura Açka.

3 deputetët e LSI-së, Monika Kryemadhi; Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili, abstenuan. Agron Çela i LSI ka bashkuar votat me PS dhe PD duke votuar pro.

Ndërkohë, rezulton se Grida Duma nuk ka votuar për komisionin e Reformës Zgjedhore, edhe pse ka votë “pro” për vettingun dhe Territorialen.

Pse kërkohet zgjatja e mandatit të organeve të vettingut

Organet e vettingut si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit si edhe Komisioneri Publik, të tre institucione të ngarkuara për rishikimin e figurës së anëtarëve të Sistemit të Drejtësisë u miratuan në vitin 2016 me një mandat të caktuar. KPK dhe Komisioneri Publik kanë një mandat 5 vjeçar, kurse KPA ka një mandate 9-vjeçar.

Aktualisht është në përfundim mandati i anëtarëve të KPK-së dhe Komisionerit Publik. Sipas ligjit, mandati i tyyre përfundon në qershor 2022. Ligji parashikon që në rastet kur përfundon mandati i tyre, punën e KPK-së e bën Kolegji i Lartë i Prokurorëve për prokurorët dhe Kolegji i Lartë Gjyqësor.

Po ashtu detyrën e Komisionerit Publik e bën SPAK-u në rastet kur përfundon mandati i Komisionerit Publik, raporton abcneës.al.

Pra, puna për vetimin e punonëjsve të Sistemit të Drejtësisë nuk bllokohet, por komplikohet.

Ndryshimet e kërkuara nga 39 deputetët e PS-së lidhet pikërisht me KPK dhe Komisionerin Publik në mënryë që punën e tyre të mos e bëjnë organet e tjera.

Deputetët kërkojnë që mandati i tyre të zgjatet edhe me dy vite të tjera.

Deri më tani, organet e vettingut kanë përpunuar 60% të çështjeve dhe kanë mbetur 40% e çështjeve të tjera që nuk janë kryer.

Nga të dhënat rezulton se janë edhe 300 prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të administratës së prokurorive dhe gjykatave që nuk janë vetuar ende.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!