Një mbrojtës më pak për Simeone, “shtatlarti” malazez transferohet në Turqi

schedule19:16 - 26 Korrik, 2024

schedule 19:16 - 26 Korrik, 2024

Mbrojtësi malazez Stefan Savic është larguar nga Atletico Madrid pas plot 9 sezonesh me fanellën e “Los Colchoneros”.

Largimi i “shtatlartit” të mbrojtjes është njoftuar për tifozët nga vetë klubi spanjoll, që nëpërmjet një komunikate zyrtare ka komunikuar se palët kanë vendosur të ndërpresin kontratën me marrëveshje.

“Kemi arritur marrëveshjen për ndërprerjen e kontratës me Stefan Saviç. Klubi i Atleticos falënderon shumë mbrojtësin për profesionalizmin dhe punën e tij gjatë këtyre nëntë viteve dhe i uron fat për sfidën e tij të re”,- thuhej në deklaratën e “Kuqebluve”, por nuk mbaron me kaq.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave spanjolle, Savic ka arritur tashmë marrëveshjen me klubin e njohur turk, Trabzonspor, me 33-vjeçarin malazez që pritet të fluturojë drejt Stambollit për të kryer testet mjekësore dhe pastaj firmosur një kontratë 2-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon.

Ndërkaq, kujtojmë se Saviç bëhet qendërmbrojtësi i tretë që largohet nga “Los Colchoneros” e Diego Simeone, gjatë kësja merkatoje vere, pasi më herët turku Çaglar Soyuncu u transferua, te Fenerbahce, ndërsa Hermoso la kontratën e tij të skadonte më 30 qershor, duke mos pranuar rinovimin me “gjigantët” e Madridit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!