Kompania italiane e automjeteve “Lamborghini”, ka publikuar projektin më të fundit, atë të një super jahti luksoz që ngjan si një makinë. Jahti ka një vlerë prej 2.7 milion eurosh, për projektin e të cilit dizajnuesit janë frymëzuar nga makina “ Lamborghini Sian FKP 37”.
Mjeti është një projekt i përbashkët mes kompanisë “Lamborghini” dhe asaj të jahteve “The Sea Group”. Jahti që do të vihet në lëvizje përmes dy motorëve V12 në pjesën e pasme, peshon rreth 24 ton, dhe ka një gjatësi rreth 20 metra, shkruan abcnews.al.
Ky model që mund të arrijë një shpejtësi më shumë se 100 kilometra në orë, pritet të dalë në treg në vitin 2021. “Nëse do të kisha imagjinuar ndonjëherë Lamborghini mbi ujë, ky do të ishte vizioni im. Jam i lumtur që festoj këtë bashkëpunim të suksesshëm. ”, deklaroi drejtuesi i kompanisë Lamborghini, Stefano Domenicali. /abcnews.al