Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Një jetë në shërbim të pyllit/ Në moshën 70-vjeçare, Bashkim Koçi mbetet figurë kyçe e mbrojtjes së natyrës

schedule20:19 - 17 Janar, 2026

schedule 20:19 - 17 Janar, 2026

Në moshën 70-vjeçare, Bashkim Koçi mbetet një nga figurat më të qëndrueshme, më diskrete, por njëkohësisht më të besueshme të mbrojtjes së natyrës në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Për dekada me radhë, si teknik pyjesh dhe specialist i Zonave të Mbrojtura, ai ka qenë pjesë aktive e çdo faze të menaxhimit pyjor, duke e jetuar profesionin jo thjesht si detyrë, por si mision.

Me një kujtesë të kthjellët dhe një analizë të qetë profesionale, Koçi rikujton periudhat kur mbrojtja e pyjeve mbështetej në disiplinë të fortë pune, patrullime të rregullta dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie institucionale.



Sipas tij, çdo specialist e konsideronte pyllin si një hapësirë që duhej ruajtur me të njëjtin kujdes si prona personale.

Një pjesë e rëndësishme e kontributit të Bashkim Koçit lidhet edhe me fazat e para të ngritjes dhe funksionimit të Zonave të Mbrojtura, ku ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të pyjeve. Ai thekson se këto plane nuk ishin dokumente formale apo burokratike, por produkte të punës intensive në terren, të mbështetura në inventarizime, matje, studime dhe njohje të thellë të territorit.

Pikërisht kjo qasje profesionale, sipas Koçit, i dha Parkut Kombëtar të Shebenikut statusin, strukturën menaxhuese dhe vlerat ekologjike që gëzon sot.

Në këtë rrugëtim shumëvjeçar, Koçi vlerëson veçanërisht edhe performancën dhe kontributin e Fatmir Brazhdës, në monitorimin, mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve duke reflektuar njohje të territorit dhe përgjegjësi të lartë ndaj Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Edhe pse sot në pension, Bashkim Koçi mbetet i lidhur ngushtë me pyllin. Ai vijon të kontribuojë si guidë për grupe turistësh vendas dhe të huaj në Parkun Kombëtar të Shebenikut, duke ofruar jo vetëm shpjegime mbi bukuritë natyrore dhe biodiversitetin e zonës, por edhe një perspektivë profesionale mbi historinë e ruajtjes së saj, sfidat dhe përpjekjet shumëvjeçare të specialistëve që kanë punuar në këtë territor.

Për ABC News, Koçi thekson se mbrojtja e Parkut Kombëtar të Shebenikut nuk është vetëm detyrë e institucioneve apo specialistëve, por një përgjegjësi e përbashkët shoqërore që kërkon ndërgjegjësim, respekt dhe dashuri për natyrën. Një jetë e tërë në shërbim të pyjeve e ka shndërruar atë në një kujtesë të gjallë profesionale dhe në një udhërrëfyes të çmuar për brezat e rinj që do të vazhdojnë punën për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!