Një hap më pranë qeverisë së re, shkarkohet edhe Kryetari i Kuvendit në Malin e Zi

schedule21:09 - 7 Shkurt, 2022

schedule 21:09 - 7 Shkurt, 2022

Tre ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, Kuvendi i Malit të Zi ka shkarkuar edhe kryetarin e këtij institucioni, Aleksa Beçiq.

Për shkarkimin e tij votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 36. Deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, votuan pro shkarkimit, ashtu si edhe deputetët e partive të koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis. Kundër votuan deputetët nga partia e Beçiqit, Demokratët, nga Fronti Demokratik pro-serb dhe nga disa parti më të vogla.

Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, parlamenti do të drejtohet nga nënkryetari i Kuvendit, Strahinja Bulajiq (DF). Shkarkimi i Beçiqit vjen pasi Kuvendi i Malit të Zi votoi për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt. Votimi i mocionit, i iniciuar nga Lëvizja Qytetare “URA” e Dritan Abazoviq, i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re.

Të gjitha partitë opozitare përfshirë këtu edhe partitë e pakicave, Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviq dhe anëtarët e shumicës së mëparshme qeverisëse, Lëvizja Qytetare URA dhe CIVIS, votuan për rrëzimin e qeverisë së Krivokapiq.

Mocionet e mosbesimit dhe kërkesat për shkarkimin e përfaqësueseve të ekzekutivit janë rezultat i krizës disamujore qeveritare, si mes parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë. Parlamenti të enjten e kaluar, më 3 shkurt, refuzoi të vendosë në rend dite votimin për shkarkimin e Zv/kryeministrit Dritan Abazoviq, të cilin e kishte kërkuar kryeministri Krivokapiq.

Pas rrëzimit të qeverisë po zhvillohen bisedime mes partive të shumicës parlamentare për formimin e një qeverie të pakicës. Sipas lëvizjes qytetare URA, pretendenti kryesor për t’u zgjedhur në postin e kryeministrit të ri shihet politikani shqiptar Dritan Abazoviç, i cili paraprakisht ka gjetur mbështetjen e partisë më të madhe opozitare, që drejtohet nga presidenti Milo Gjukanoviç. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!