Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë nuk i është kthyer normalitetit.
Një ditë pas zjarrit që ra në dhomën teknike në katin -1 këtu trajtohen vetëm pacientë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Të sëmurët që kërkojnë ndihmë në numrin e telefonit 127 të Urgjencës Kombëtare në raste aksidentesh dërgohen në Spitalin e Traumës, kur ankojnë probleme me tensionin apo zemrën tek “Shefqet Ndroqi” dhe kur i shqetësojnë ethet apo temperatura e lartë në Infektiv.
Ata që nuk kanë dijeni dhe paraqiten me makina private për të marrë shërbim në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” orientohen sipas gjendjes së tyre shëndetësore. Në raste të rënda dërgohen drejt spitalit me autoambulancë.
Ky plan masash për menaxhimin e urgjencave mjekësore u vu në zbatim të dielën.
Nuk ka ende një datë kur urgjenca e spitalit qendror të Tiranës do ti kthehet normalitetit.
Aparaturat sipas drejtorisë së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” po testohen ndërsa pacientëve nga rrethet në listë pritje për ekzaminime imazherike iu është lënë një datë tjetër.
Një ditë më parë në bodrumin e urgjencës ra zjarr pasojë sipas policisë e një shkëndije elektrike.
Situata sipas drejtoreshës Albana Fico u menaxhua shumë shpejt. Nuk pati të lënduar por vetëm dëme të kufizuara në një dhomë teknike.