Një ditë pas protestës Lulzim Basha i falenderon përmes një postimi në rrjetet sociale qytetarët pjesëmarrës nga i gjithë vendi, që i treguan botës, sipas tij, se nuk pajtohen me krimin.
“Qëndrimi ynë është i pandryshuar dhe i pakompromis: Fatmir Xhafaj duhet të largohet dhe do të largohet. Për sa kohë ai është ministër, nuk do të ketë hetim dhe drejtësi të vërtetë për të dhe për të vëllain dhe nuk do të ketë luftë të vërtetë kundër krimit dhe drogës.”
Basha u përgjigjet atyre që bëjnë thirrje për dhunë, duke theksuar se fuqia e PD, që prej lindjes së saj është tek njerëzit dhe vullneti i lirë i tyre dhe jo dhuna.
“Dhuna nuk është zgjidhja, e vërteta është zgjidhja”, shkruan Basha.
Më herët edhe ish-kryeministri Berisha reagoi për protestën në Facebook, duke shkruar se protesta e djeshme ishte revoltë nga më të fuqishmet në historinë e protestave, pasi përvec të tjerash i tregoi botës se shqiptarët protestuan kundër lidhjeve me drogën e krimin të Kryeministrit Rama dhe ministrit Xhafaj./abcnews.al