“Një deputet mund të vritet”, Alibeaj i përgjigjet Brahos: S’ka burrë nëne që më tut

schedule22:52 - 10 Janar, 2022

schedule 22:52 - 10 Janar, 2022

Të parëndësishme e ka konsideruar nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj deklaratën e bërë nga Spartak Braho i cili tha se një deputet me inicialet E.A do të sulmohej gjatë  protestës së 8 janarit të udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha në selinë blu.

I ftuar në emisionin “RealStory” në ‘News24’ Alibeaj tha se ky lajm nuk e shqetësoi aspak, pasi nuk e ka marrë në konsideratë të tillë, ndërsa u shpreh se familja ishte disi e shqetësuar dhe kjo ishte mëse normale. Prerazi deputeti nënvizoi se nuk ka asgjë që atë mund të trembë dhe se është nga ata persona që nuk mund të shantazhohet.

“Që të ngresh një tezë bazuar tek deklarata e Brahos nuk besoj që e meriton. Nuk ka burrë nënë që mund ta tut, apo ta shantazhojë apo të bëjë negociata me disa parime të vetat. Jo të më shantazhojë mua Edi Rama apo dikush tjetër nuk ka për të ndodhur kurrë dhe për këtë i kam dhënë provat. Me këtë çështje nuk merrem fare. Nuk i kushtova rëndësi deklaratës së bërë Brahos, pati disa shqetësime nga ana e familjes. Nuk ka shoqërues nga Garda. Ditën e shtunë një këshilltar i imi tha të bëjmë një kërkesë, por nuk e kisha problem dhe në mënyrë miqësore erdhi një”, tha më tej ai.

Deklarata e Brahos u bë një ditë para protestës. Ai përmendi inicialet E.A, që sipas tij duhej të bënte kujdes për jetën e tij pasi tha se kishte informacione që do të tentohej të eleminohej. Kjo ka bërë që Garda e Republikës ta marrë në mbrojtje deputetin Enkelejd Alibajn, duke i dhënë 1 shoqërues për ta mbrojtur. Protesta përshkallëzoi në dhunë por mbështetësit e Berishës arritën të futen vetëm në katin e parë të selisë blu dhe jo në të dytin. U desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë protestuesit, që situata të mos përshkallëzonte edhe më keq. Prokuroria e Tiranës në një njoftim zyrtar ka bërë me dije se po vijon hetimet në lidhje me protestën e dhunshme që u regjistrua ditën e shtunë. Organi i akuzës ka ngritur 4 akuza në lidhje me këtë ngjarje si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!