Një “dem” për “djajtë e kuq”, Manchester United hap “thesin” për Lautaro Martinez

schedule09:49 - 2 Maj, 2023

schedule 09:49 - 2 Maj, 2023

Manchester United dëshiron me patjetër një sulmues qendror. Kohët e fundit, preferenca e tyre ka qenë Harry Kane, por shifra e lartë e kartonit të tij dhe deklarata e presidentit të Tottenham se nuk do ta lejonte sulmuesin anglez të transferohej te ndonjë ekip rival vendas, ka bërë që Manchester United të tërhiqet nga gara dhe të shikojë përreth për ndonjë sulmues tjetër.

Sipas “Football Insider”, “Djajtë e Kuq” kanë shënjestruar sulmuesin argjentinas të Interit, Lautaro “El Toro” Martinez. Sipas mediumit në fjalë, United është i gatshëm të ofrojë një ofertë fillestare prej 80 milionë euro për sulmuesin zikaltër. Ten Hag e dëshiron shumë Lautaron, pasi karakteristikat e argjentinasit janë të duhurat për të. Dinakëria, inteligjenca, agresiviteti, këmbëngulja dhe nuhatja për të shënuar përpara portës, ka bërë që Ten Hag të marroset pas argjentinasit.

Por kjo tentativë nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Interi nuk ka ndërmend të largojë një nga lojtarët kyç të projektit të tyre. Lautaro mendohet se do të jetë kapiteni i Interit sezonin e ardhshëm. Sulmuesi argjentinas ka firmosur një kontratë të re me zikaltërit deri në vitin 2026 dhe gjithashtu ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga ai klub.

Lautaro ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon, ku performanca e tij me golat dhe asistimet kanë qenë tepër të rëndësishme për Interin. Në 47 ndeshje deri më tani këtë sezon, kampioni i botës me Argjentinën ka shënuar për zikaltërit 21 gola dhe ka asistuar 8 herë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!