Nga Frrok Çupi
Fredi Beleri, tashmë i njohuri mbarë e mbrapsht, është një armik i vërtetë i Shqipërisë. Sot që në mëngjes ai doli nga porta e burgut, hipi në makinën luksoze të ambasadorit të Greqisë, u bëri karshillëk gazetarëve shqiptarë dhe foli vetëm me gazetarë grekë. Eci përtokë e fluturoi për qiej, i lirë si një zog. Edhe pse Fred Beleri vepron, urren, dashuron e merr frymë si një armik i Shqipërisë.
A quhet armik i një vendi ai tipi që shërben shtetin tjetër për të pushtuar tokat tona?. Flitet shqip përpara armikut.
Në mijëra herë, kur është thënë nocioni ‘armik i Shqipërisë’, besimi ka mbetur i varur: Është apo nuk është armik? Sepse ata që akuzoheshin nuk ishin kapur me vepra në duar, ose nganjëherë ishin ‘më miq të Shqipërisë’ se sa akuzuesit.
Por Fredi Beleri është vërtet armik i këtij vendi, armik i dinjitetit dhe atdheut të dashur të shqiptarëve. Në se quhet armik një shkelës i kufirit shtetëror të vendit; nëse ky njeri hyn në komandon greke; nëse natën e 10 prillit 1994, në orën 02.30 po kjo komando greke e veshur me uniformën e ushtrisë së këtij shteti sulmoi në befasi Postën Kufitare të Peshkëpisë, në Rrethin e Gjirokastrës dhe vrau dy ushtarakë, kapitenin e parë Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini… Aty mes tyre ishte vetë Beleri. Beleri është akuzuar, dënuar, akuzuar, ndaluar… për vrasjen e ushtarakëve.
Fredi Beleri u dënua me 3 vjet burg për ‘nxitje të urrejtjes kombëtare dhe poshtërim të Republikës së Shqipërisë e simboleve të saj’.
Në pranverën e vitit 2023, Beleri shfaqet nga një ishull nën një flamur të Vorio- Epirit dhe bën thirrje ‘të helenizojmë Himarën!’. ( Vorio Epiri është organizata famëkeqe që ka për qëllim pushtimin e Jugut të Shqipërisë). Në Himarë e presin dy grupime politike dhe e kurorëzojnë si kandidat për kryetar Bashkie. Në rrugën drejt idesë së pushtimit të Shqipërisë blen vota me paratë e Greqisë. Burgoset, por Greqia i del në mbrojtje e bën luftë të madhe. Greqia, në emër të Belerit, kërcënon dinjitetin e Shqipërisë, si të ishte vendi ynë një send pa vlerë.
Sot Beleri doli nga burgu i Fierit për të fluturuar drejt Athinës e pastaj drejt Strasburgut për t’u betuar si anëtar i Parlamentit Europian.
A është ky armiku?. Ky është.
A e ke pranë armikun? Mes gazetarësh, as iu përgjigjet.
A po i jep të drejta më shumë se të gjithëve? Fluturon si një zog mbi kokat tona.
Mbi të gjitha shtrohet pyetja: Vallë jemi të dobët apo të fortë që e lëmë armikun të losë mes fushave si fëmijët pas shkolle?
Po të ishim të dobët, do të kishim ulur kokën, siç ulën kokën udhëheqësit tanë para terroristëve në Peshkëpi, 1994.
Po të ishim të dobët, do të kishim bërë si politika greke, që në turfullim zbulon se është nervoze, e padrejtë, me shpresa pushtuese ndaj vendit fqinj. Akoma sot e kësaj dite, në shekullin 21.
Po vemë re se nuk po dëshmojmë dobësi, por qytetërimin e kohës.
Nuk di si do të bëjë Parlamenti Europian që ka brenda një blerës votash dhe një diversant të një shteti anëtar i BE kundër shtetit fqinj!? Cili do të jetë autoriteti i PE që nga dita kur Beleri i MAVI bëhet ‘Beler i PE’. Të presim e shikojmë zhvillimet e kësaj bote të trazuar më shumë se kurrë.
Çudira po ndodhin.