Një arbitër suedez për “Legjionarët”, ja kush do vendosë drejtësi në përballjen ndaj Spanjës

schedule14:36 - 22 Qershor, 2024

schedule 14:36 - 22 Qershor, 2024

Pavarësisht se mund të arrinim një fitore të madhe, “Legjionarët” e Kombëtares sonë u mjaftuan me barazimin 2 me 2, ndaj një përfaqësuesje të madhe si Kroacia, duke siguruar pikën e parë, në Kampionatin Evropian të Gjermanisë dhe shpresojmë të mos jetë e fundit.

Kështu, pas përfundimit të përballjes në Hamburg, “Legjionarët” janë rikthyer në kampin e tyre stërvitor, në Kaiserau, aty ku kanë vijuar përgatitjet, për sfidën e fundit të grupeve, atë të 24 qershorit, ndaj Spanjës, sfidë e cila do të vendosë përfundimisht fatin e Kombëtares “kuqezi”, në këtë rrugëtim, që shpresojmë të jetë i gjatë.

“Legjionarët” do të kërkojnë një fitore historike, ndërkohë UEFA ka publikuar emrat e arbitrave që do të vendosin drejtësi në këtë sfidë, teksa kryesori do të jetë suedezi, Glenn Nyberg, me 35-vjeçarin, që është një ndër më të rinjtë në Euro 2024 u bë arbitër profesionist në vitin 2008 dhe mban stemën e FIFA-s prej vitit 2016.

Nyberg ishte arbitri i katërt në finalen e Conference League në Athinë mes “Violëve” të Fiorentina dhe grekëve të Olympiacos dhe gjatë 301 takimeve zyrtare që ka arbitruar në Suedi dhe Europë, Nyberg ka nxjerrë nga xhepi kartonin e verdhë në 972 raste dhe 16 herë të kuqin. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!