Ardita Bufaj sjell një vepër artistike me kolonat zanore të 15 filmave më të njohur shqiptarë. Pianistja e mirënjohur ishte e ftuar ditën e sotme në “Abc-ja e mëngjesit” ku ndau detaje nga albumi “Anima Kineart”. Muzika e filmave si “Guximtarët”, “Gjyshi partizan, “Mëngjese lufte”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Mimoza llastica”, si dhe të tjerë projekte kinematografike të njohura janë pjesë e albumit të përgatitur nga pianistja.
Ajo është kujdesur në detaje për të risjellë në vëmendje jo vetëm muzikën por gjithashtu dhe emrat e regjisorëve më të mëdhenj shqiptar. Në intervistën për moderatorin Alban Musa, pianistja tregoi se si lindi ideja për të sjellë një projekt kaq të veçantë. “Ideja e këtij albumi më ka ardhur nga vajza ime e vogël kur po e përgatisja në një konkurs pianistik dhe rastësisht përzgjidha dy materiale muzikore “Tomka dhe Shokët e tij” dhe “Mimoza Llastica”.
Atë ditë që të dyja luajtëm në konkurs pashë një reagim të jashtëzakonshëm të publikut. Një reagim të të gjithë pedagogëve të pianos, të instrumentistëve dhe atë ditë vendosa se duhej ta konkretizoja dhe t’i sillja këto materiale të bukura për instrumentin e pianos që të kenë mundësi të gjithë për ta luajtur.“, u shpreh pianistja. /abcnews.al