Me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit , në kuadër të angazhimit të tij të vazhdueshëm ndaj komuniteteve në nevojë, Kastrati Group, në bashkëpunim me Save the Children in Albania dhe Albsig, ka realizuar një nismë humanitare, duke ofruar pako ushqimore për 300 familje në kushte të vështira ekonomike.
Iniciativa u krye në disa prej zonave më të prekura në Tiranë, përmes Qendrës Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, Qendrës Komunitare Multidisiplinare dhe Qendrës Komunitare “Të Qendrojmë së bashku”, si dhe në Bashkinë Cërrik, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe organizatat komunitare.
Duke reflektuar frymën e solidaritetit që karakterizon këtë periudhë, Grupi Kastrati synon jo vetëm të ofrojë mbështetje konkrete për familjet në nevojë, por edhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Përmes partneritetit me Save the Children, nisma merr një dimension më të gjerë social, duke garantuar identifikimin dhe mbështetjen e familjeve më vulnerabël.
Procesi i shpërndarjes u zhvillua gjatë datave 18 e 19 mars, duke u koordinuar në mënyrë efikase me partnerët dhe institucionet lokale.
Për shumë prej familjeve, kjo mbështetje shkon përtej ndihmës materiale, duke sjellë një ndjesi sigurie dhe përkujdesjeje në një periudhë me rëndësi të veçantë shpirtërore.
Përmes iniciativave të tilla, Grupi Kastrati dhe partnerët e tij rikonfirmojnë angazhimin për të kontribuar në mirëqenien sociale, si dhe për të nxitur një kulturë solidariteti të qëndrueshme në shoqëri.


