Nisja e vitit të ri akademik, ministrja Kushi: Vendimi për mësimin online aspak i lehtë

schedule11:11 - 1 Nëntor, 2020

schedule 11:11 - 1 Nëntor, 2020

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në pragtë nisjes së vitit të ri akademik ka deklaruar se vendimi për të vazhduar mësimin online në muajin e parë nuk ishte aspak i lehtë.

Kushin në reagimin e saj thekson se universitetet janë të të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.

Gjithashtu ministrja sqaron se çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Mesazhi i plotë:

Nesër nisim një vit akademik sfidues, i cili vjen në vazhdimësinë e vitit të kaluar që u mbyll me mjaft vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë që sfidat vazhdojnë të jenë të shumta, duket që edhe ky vit do të jetë i pazakontë dhe aspak i lehtë, jo vetëm këtu por në të gjithë globin.

Në këtë kuadër, nga thellësia e zemrës dua t’ju uroj të gjithëve pa përjashtim një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!

Si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, jam mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin.

Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.

Nga takimet e realizuara kohët e fundit me drejtuesit e universiteteve, jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-COVID. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë.

Suksese dhe shëndet të mirë për të gjithë!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!