Pak ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri shkollor, që përkon dhe me stinën e vjeshtës, stinë në të cilën shtohen dhe infeksionet.
Sipas mjekes pediatre në Spitalin Hygeia, doktoresha Gjeorgjina Kuli rikthimi në shkolla mbart disi edhe përhapjen e infeksioneve.
“Grumbullimi i fëmijëve në shkolla nga ana epidemiologjike është një risk i shtuar përsa i përket përhapjes së infeksionit. Qoftë edhe për infeksioni për të cilin flasim dhe për infeksionet virale ne e dimë që me stinën e lagësht kemi një rritje të incidiencës së infeksioneve, por duhet të kemi parasysh se ky është një infeksion me të cilin ne kemi disa muaj që bashkëjetojmë dhe siç duket do të jetë i pranishëm edhe për disa muaj të tjerë”, ka thënë doktoresha Kuli.
Sipas dr. Kulit shkolla është një mundësi e mirë për fëmijët pas një kohe të gjatë shkëputjeje, por thekson se duhet të mësohen me realitetin e ri në të cilin ndodhemi.
“Shkolla është një komponent i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, dhe atyre nuk mund tua privosh një gjë të tillë pasi një gjë pjesë e shoqërisë ndikohen nga ky stanjacion në lidhje me mos frekuentimin e shkollës. Ajo që theksoj është që ne të gjithë prindërit dhe fëmijët duhet të pajtohen me distancimin social, të një jete ndryshe”, është shprehur ndër të tjera ai.
Mjekja specialiste në Spitalin Hygeia jep disa sugjerime për prindërit se si të veprojnë me fëmijët dhe të jenë të kujdesshëm me kontrollin e temperaturës që shfaqin të vegjlit, po ashtu të stimulohet sa më shumë larja e duarve
“Gjithsecili nga familjarët duhet të përgatisë fëmijët pa i trembur në lidhje me marrëdhëniet e reja që do krijohen në shkollë, ka protokolla epidemiologjike të përcaktuara në lidhje me vendosjen e nxënësve në klasë dhe vendosjen e maskave. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me temperaturën e fëmijëve të tyre, nëse më parë temperatura 37 e një vijë i kanë dhënë një paracetamol dhe e kanë dërguar në shkollë në këtë situatë nuk duhet një gjë e tillë”, ka thënë doktoresha./abcnews.al