Ka nisur procesi i votimit në 4 komunat e veriut të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i votimit ka nisur në të 44 qendrat e votimit dhe po ecën normalisht.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre 4 komunave kanë të drejtë vote afro 58 mijë votues.
Policia e Kosovës ka përgatitur edhe një plan operativ për këtë proces zgjedhor, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe ruajtjen e rendit .
Ndërkaq, mediat kosovare shkruajnë se ishte parashikuar që veriun e Kosovës ta vizitojë sot drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, por ministria e Jashtme nuk i ka dhënë leje.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve për shkak të taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia. Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe. /ABC News Albania 24/7