Nis puna për Unazën Veriore, Balluku: Çdo banesë për shpronësim të trajtohet në bazë të ligjit

schedule14:49 - 19 Janar, 2022

schedule 14:49 - 19 Janar, 2022

Ditën e sotme ka nisur puna për ndërtimin e Unazës së Re Veriore. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se ndërtimi i akseve rrugore është shumë i rëndësishëm por vuri theksin se duhet ndjekur me përpikmëri ligji i shpronësimeve. Duke folur për afatet e dorëzimit të veprës që parashikohen deri në 11 muaj, Balluku shtoi se shpreson që t’i përmbahen duke vënë theksin te procedura dy palëshe mes shtetit dhe pronarët e objekteve që do shpronësohen.

“Preken 60 objekte që janë miks. Disa janë të legalizuara dhe disa janë të palegalizuara. Do të ketë një akomodim të pronarëve të banesave. Koha e dorëzimit të veprës është 11 muaj. Është një afat shumë ambicioz që shpresoj që ta mbajnë duke pasur parasysh edhe afatin e shpronësimeve. E them dhe e përsëris që procedura që shteti bën është një procedurë dypalëshe. E bëjmë me pronarin e truallit që do shpronësohet.

Krijohen vonesa në përfundimin e procesit duke mbajtur peng edhe kantieret. Jemi të gatshëm për të ndihmuar edhe pronarët e shtëpive që do të shpronësohen. Nëse ky projekt dorëzohet brenda një viti Tirana do marrë frymë lehtësisht. Të gjitha akset do të lidhen në këtë unazë të përfunduar duke i dhënë frymëmarrje qytetit. Është e rëndësishme që informimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm. Shteti shpronëson në bazë të ligjeve të shpronësimeve. Ndërtimi i akseve rrugore është i rëndësishëm por nuk duhet të harrojmë që edhe një banesë e vetme të trajtohet në bazë të ligjit”, deklaroi Balluku.

Kreu i ARRSH Ergys Verdho tha se projekti është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme për të shmangur të papriturat duke shtuar se janë marrë masat për kategorizimin e atyre që legalizohen dhe nuk legalizohen.

“Projekti është i bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk do përballemi me të papritura. Kemi bërë projektin më të saktë. Janë marrë masat paraprakisht dhe kanë nisur procedurat për ndarjen mes atyre që legalizohen dhe nuk legalizohen”, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!