Nisin punën në Shqipëri, si mund t’i dalloni forcat e Frontex në kufi

schedule12:32 - 21 Maj, 2019

schedule 12:32 - 21 Maj, 2019

Sot në Pallatin e Kongreseve u zhvillua ceremonia e nisjes së operacionit të misionit Frontex në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe komisionari Avramopulos, drejtori i Frontex, Fabrice Leggere e konsideroi këtë marrëveshje si gur kilometrik në bashkëpunimin mes BE-së dhe Shqipërisë.

Anëtarët e Frontex janë të pranishëm në kufijtë tokësor, bregdetar dhe aeroporte në të gjithë BE-në. Leggere tregoi se si mund t’i dallojmë agjentët e Frontex, të cilët vishen me uniformat kombëtare dhe një shirit blu në krah.

“Ky është një gur kilometrik jo vetëm për Agjencinë evropiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare, Frontexit, por edhe bashkëpunimit më të gjërë mes BE dhe Shqipërisë. Avionët tanë gjenden në shumë vende të tjera të BE-së. Ne jemi në kufijtë bregdetar, në kufijtë tokësorë, në aeroporte dhe tani kemi 1200 Roje Bregdetare në të gjithë BE-në. Kemi më shumë se 25 mjete lundruese dhe një duzinë avionësh dhe helikopterësh. Sot është hera e parë që po caktojmë roje kufitare në një vend jashtë BE-së. Këta punonjës do të veshin uniformat e tyre kombëtare bashkë me një bandë në krah, blu, që do të tregojë se janë anëtarë të agjencisë evropiane të Mbrojtjes së Kufirit dhe Rojes Bregdetare. Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me Shqipërinë”, tha drejtori i Frontex.

Shqipëria është vendi i parë jashtë BE-së në të cilin, Frontex vendos roje kufitare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!