Nisin hetimet ndaj ligjvënësit George Santos, dyshohet për veprimtari të paligjshme gjatë fushatës

schedule08:53 - 3 Mars, 2023

schedule 08:53 - 3 Mars, 2023

Hetimi duket se është i gjerë. Ai synon të përcaktojë nëse Santos “mund të jetë përfshirë në veprimtari të paligjshme gjatë fushatës së tij për t’u bërë anëtar i Kongresit” dhe veprime të tjera”, thuhet në një deklaratë të Komisionit të Etikës.

Komisioni i Etikës do të hetojë gjithashtu nëse zoti Santos “i ka raportuar siç duhet informacionet e kërkuara në dokumentet e paraqitura në Dhomën e Përfaqësuesve, nëse ai ka shkelur ligjet federale të konfliktit të interesit në lidhje me rolin e tij në një firmë që ofron shërbime financiare dhe nëse ai ka bërë sjellje të pahijshme seksuale ndaj një individi që kërkoi punësim në zyrën e tij në Kongres”, thuhet në deklaratë.

Ligjvënësi Goerge Santos tashmë është tërhequr nga detyrat e tij në këtë Komision, por ka kundërshtuar thirrjet e republikanëve në Nju Jork për të dhënë dorëheqjen nga posti. Përmes një postimi në Twitter, zyra e tij tha se ai “po bashkëpunon plotësisht” me hetimin e Komisionit të Etikës dhe nuk do të bënte komente të tjera për këtë çështje.

Anëtarët e Komisionit të Etikës, ligjvënësi republikan David Joyce nga Ohajo dhe ligjvënësja demokrate Susan Wild nga Pensilvania, do të udhëheqin hetimin. Anëtarët e këtij Komisioni votuan njëzëri për krijimin e një nënkomisioni prej katër anëtarësh që do të hetojë akuzat për shkelje ndaj ligjvënësit Santos.

“Komisioni theksoi se fakti që është krijuar një Nënkomisioni Hetimor nuk do të thotë në vetvete se ka patur ndonjë shkelje”, thuhet në deklaratën e lëshuar të enjten.

Komisioni mund të ndërmarrë një sërë veprimesh ndaj ligjvënësit Santos, përfshirë rekomandimin për ta përjashtuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, forma më e ashpër e dënimit, e cila është përdorur vetëm pesë herë në më shumë se dy shekuj dhe asnjëherë kur bëhet fjalë për sjellje që kanë ndodhur përpara fillimit të mandatit të një ligjvënësi. Të paktën dy të tretat e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për përjashtimin e tij, nëse kjo rekomandohet nga Komisioni i Etikës.

Rekomandimet për çdo lloj ndëshkimi duhet të jenë pjesë e një raporti të Komisionit të Etikës që deklaron provat që mbështesin gjetjet e tij dhe një shpjegim të arsyeve për vendimet e tij.

Ligjvënësi ka pranuar se ka sajuar pjesën më të madhe të biografisë së tij. Zoti Santos fitoi garën për një vend në Kongres në nëntor me një diferencë prej 7.5 për qindësh ndaj kandidatit demokrat Robert Zimmerman. Por fitorja e tij u venit shpejt nga njoftimet në media që tregonin se personi që ai prezantoi para votuesve ishte kryesisht i sajuar.

George Santos ka thënë se është diplomuar në Universitetin e Nju Jorkut dhe Kolegjin Baruch, ndonëse në këto institucione arsimore nuk ekziston asnjë e dhëna për të. Ai ka pretenduar gjithashtu se ka punuar në kompanitë financiare, “Goldman Sachs” dhe “Citigroup”, gjë që ka rezultuar të jetë e pavërtetë.

Po kështu zoti Santos rezulton të ketë gënjyer edhe për origjinën e tij duke thënë se është hebre dhe se gjyshërit e tij arritën t’u shpëtojnë nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!