Nisi sot zyrtarisht të vilet tarifa për Rrugën e Kombit

schedule16:12 - 17 Shtator, 2018

schedule 16:12 - 17 Shtator, 2018

Nga dita e sotme automjetet që kalojnë në rrugën e kombit do të paguajnë tarifën përkatëse. Për banorët e qarkut të Kukësit, kjo tarifë do të jetë në vlerën 100 lekë për kalim. Sportelet e pagesës së tarifës sot kanë vijuar punën normalisht.

Sot ka nisur zyrtarisht pagesa e tarifës për mjetet që kalojnë në Rrugën e Kombit.

Siç raportohet nga gazetarët e ABC News në terren, situata ka qenë e qetë në sportelet e pagesës së tarifës, pranë tunelit të Kalimashit. Pagesa e tarifës nga drejtuesit e mjeteve ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe deri në mesditë, nuk është raportuar asnjë incident apo kundërshtim.

Para mbërritjes tek sportelet e pagesës së tarifës janë vendosur në gatishmëri 4 mjete të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në mes të segmentit nga Tuneli deri në Kukës, janë stacionuar një numër i madh Forcash të Ndërhyrjes së shpejtë, për të qenë në gatishmëri dhe për të evituar çdo incident të mundshëm.

Ndërsa në hyrje të qytetit të Kukësit ka nje postbllok policor.

Pas 6 muaj negociata mes qeverisë, banorëve dhe kompanisë konçesionare për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit, është arritur në një dakordësi dhe tarifa për banorët e qarkut të Kukësit është mjaft e reduktuar.

Çdo  automjet i regjistruar në Kukës e që niset nga Kukësi drejt Tiranës apo anasjelltas do të ketë korsinë e tij dhe sportelin e veçantë për kryerjen e pagesës.

Në sportel bëhet verifikimi i targës se makines dhe banorët e qarkut të Kukësit do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh për çdo kalim.

Për të eliminuar kostot për banorët e kesaj zone, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë lincesuar në qark.

Per drejtuesit e mjeteve te tjera, tarifa do të jetë do të jetë 660 lekë (ose 5 euro).

Gjithsesi ajo mund të pësoje ulje, në varësi të frekuencës së kalimit në këtë rrugë. Konçesionari dhe autoriteti kontraktues kanë rënë dakord për një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë, të cilët do të pajisen me “Digital Pass”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!