Tekste shkollore falas/ Nis shpërndarja nëpër shkolla

schedule08:08 - 27 Gusht, 2024

schedule 08:08 - 27 Gusht, 2024

Esterin dhe Xhoian lajmi se do të merrnin librat e shkollës i ka emocionuar.

Shoqet e kopshtit këtë vit nisin klasën e parë.

Tekstet kanë nisur të shpërndahen në shumë prej shkollave 9-vjeçare në vend, proces që do të zgjasë deri në fillim të shtatorit. Nxënës dhe prindër  po I tërheqin sipas një kalendari të hartuar nga drejtoritë e shkollave.  Për të shmangur  radhët, tek “Klodian Tanushi” në Tiranë një shkollë me rreth 700 nxënës  kanë  hartuar këtë grafik.

“Dje kemi bërë njoftimin në faqen e Facebook të shkollës, ku janë njoftuar prindërit e klasave paralele tre të parat,  tre të dyta, tre të treta dhe dy ta katërta,  ndërsa dy të pestat, të gjashtat deri tek të nëntat  shpërndarja do të bëhet nesër. E gjitha kjo u bë për të mos pasur mbingarkesë të punëve.  Një gjë pozitive është fakti që kemi pasur një ardhje 100% të librave,  pra pa pasur asnjë lloj mungese në këtë drejtim”, tha Lulzim Lika, drejtor i shkollës “Klodian Tanushi”, Tiranë.

Paketat e librave nuk kanë mungesa ndërsa rreth 238 mijë nxënës në të gjithë vendin do të përfitojnë falas, por jo të gjithë do të jenë tekste të reja

“Klasa e parë deri në të nëntë janë libra të rinj, klasa e pestë, e gjashtë, e shtatë janë kryesisht libra të përdorur, por ka dhe libra të rinj brenda tyre ndërsa e teta e nënta i ka libra të rinj”, u shpreh mësuese Dhurata Hushi.

Shumë prindër thonë se kjo është një mbështetje në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

“Janë të gjitha të reja, është edhe ndihmë nga ana ekonomike, jo vetëm për mua por për të gjithë se pothuajse të gjithë librat janë të reja”.

Me libra  falas do të pajisen gjithashtu dhe nxënës të arsimit të mesëm që vijnë nga familje me probleme sociale dhe ekonomike.  Për sigurimin e teksteve shkollore, këtë vit Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion  rreth 9 milion dollarë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!