Ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi se sot nis shpërndarja e teksteve shkollore për klasat nga e para tek e pesta. ABC News, nga vëzhgimi në terren, pa se shpërndarja nuk ka nisur, por librat janë bërë gati. Anila Ferizaj, përgjegjëse në sektorin e programit të arsimit parauniversitar tha se 80% e teksteve që janë përdorur një vit më parë, do përdoren edhe këtë vit.
Duke lënë pas pushimet, ministria e arsimit ka njoftuar nisjen e shpërndarjes së teksteve shkollore falas për klasat nga e para deri në të pestë. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se shpërndarja do të nisë nga data 2 shtator. Për këtë, ABC News vëzhgoi disa shkolla 9-vjeçare në Tiranë.
Tekstet shkollore falas që do ti ndahen nxënësve të do të jenë të përdorura, me përjashtim të klasës së parë. Anila Ferizaj, përgjegjëse në sektorin e programeve të zhvillimit të arsimit parauniversitar tha se përgjegjësia për shpërndarjen e teksteve do ta kenë mësuesit kujdestar të së cilës klasë.
“Tekstet do të jepen në shkollë, shkolla harton një plan të caktuar të shpërndarjes së teksteve. Tekstet jepen si paketë nga mësuesi kujdestar”, tha Ferizaj.
Ferizaj bëri të ditur se rreth 80% e teksteve shkollore të përdorura një vit më parë janë cilësuar si të vlefshme edhe për këtë vit shkollor.
“Rreth 80% e teksteve që janë dhënë në përdorim falas vitin e shkuar janë vlerësuar si të përdorshme nga komisionet dhe administratat në shkolla. Janë porositur edhe tekstet e reja. Numri i teksteve që janë cilësuar si të papërdorshme është porositur për t’u zëvendësuar në këtë vit shkollor”, tha Ferizaj.
Vitin e ri shkollor janë rreth 150 mijë nxënës që do të përfitojnë librat falas./ABC News Albania 24/7