Nis rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Floq

schedule16:45 - 30 Gusht, 2019

schedule 16:45 - 30 Gusht, 2019

Në Floq të Korçës janë hapur kantieret e rindërtimit të shtëpive te rrënuara nga tërmeti i qershorit. Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit premtoi se asnjë familje nuk do ta presë dimrin në çadra.

Frikës së banorëve të Floqit që tërmeti i qershorit iu shembi shtëpitë dhe ende po qëndrojnë në shkollën e fshatit iu dha përgjigje kryeministri Edi Rama.

“Kemi punë akoma, por objektivi është që para dimrit të mos ketë më njeri në tenda“.

Kjo është shtëpia e parë e rindërtuar nga 20 që do t’i nënshtrohen këtij procesi në këtë fshat. Me ecurinë e punimeve kryeministrin e njohu ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Kemi të hapura 14 kantiere. 1 shtëpi është dorëzuar. 4 janë drejt përfundimit dhe po hapim edhe 5 të tjerat që kanë ngelur. I kemi dhënë përparësi, jo vetëm shkallës së shkatërrimit që shtëpitë kanë patur, por edhe nevojës që familja ka patur kur ka të sëmurë, ose kur ka fëmijë të vegjël”.

Ndërsa familjet që banesat iu kanë pësuar dëmtime më të lehta do të dëmshpërblehen.

“Në total janë 120 shtëpi për të cilat po investohet rikonstruksioni, ndërkohë që 40 po ndërtohen nga e para. Ka filluar procedura edhe për rikonstruksionin e të gjithë të tjerave. Pastaj, gjithë banesat e tjera janë kategoria e tretë e banesave që kanë dëmtime të lehta, do t’i nënshtrohen vendimit të Këshillit të Ministrave për kompensimin dhe ka filluar procedura për riparimin e dëmtimeve të lehta“.

Por jo të gjithë i besojnë fjalët e drejtorit të Emergjencave Civile. Ndonjë prej banorëve kërkon ndihmën e Kryeministrit.

ABC News një ditë më parë solli shqetësimin e shumë banorëve që qëndrojnë në godinën e shkollës së fshatit me frikën se shtëpitë që iu premtuan se do të rindërtohen nuk do përfundojnë as në vjeshtë.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës  premton se shumë shpejt punimet do të nisin dhe për shtëpitë e dëmtuara në Qafzezë.

“Brenda 10 ditëve të ardhshme do të nisin punimet për të gjitha shtëpitë e dëmtuara në Qafzezë, prej nga ku është radha për të kaluar në zonën e Ersekës.”

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!