Nis restaurimi i Teatrit të Kukullave, projekti parashikon ruajtjen e vlerave historike të godinës

schedule15:50 - 5 Tetor, 2021

schedule 15:50 - 5 Tetor, 2021

Godina Historike, monument kulture i kategorisë së parë, ish-parlamenti i parë shqiptar, sot Teatri i Kukullave, së shpejti do të hyjë në fazën e restaurimit.

Projekti është hartuar dhe do të zbatohet  nga UNOPS si dhe ka marrë miratimin nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Materiale, për shkak të statusit të godinës historike. Drejtori i Teatrit të Kukullave Agim Bajko thotë se në projekt janë reflektuar edhe sugjerimet për skenën.

Punimet pritet të nisin në fund muajit tetor 2021 e do të zgjasin 14 muaj. Përgjatë kësaj kohe administrata dhe trupa do të zhvendosen në ish- Kinostudio, sipas drejtorit shfaqjet nuk do të ndërpriten, përkundrazi do të zhvillohen përveç Tiranës edhe në turne nëpër Shqipëri.

Ndërkohë që krahas skenës moderne është propozuar edhe krijimi i një muzeu ku rrëfehet historiku i godinës në 100 vite, thekson Bajko

Programi “EU4Culture” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, me një buxhet prej 40 milion Euro ku është parashikuar restaurimi i 27 siteve të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Ndërhyrjet restauruese, janë bazuar në statusin që kjo ndërtesë ka si “Monument i Kategorisë I”. Qëllimi kryesor është ruajtja e trashëgimisë, minimizimi i problemeve dhe ofrimi i kushteve optimale për vizitorët dhe stafin artistik e administrativ të këtij institucioni. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!