Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi njoftoi nga Korça nisjen e zbatimit të projektit për ushqyerje të shëndetshme në shkolla. Peleshi tha se kjo është një perspektive e re për të rritur sigurinë ushqimore.
Korça është qyteti i parë në vend ku ka filluar zbatimi i projektit, për ushqyerje të shëndetshme në shkolla. Në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, ministri i bujqësise Niko Peleshi, e konsideroi implementimin e këtij projekti të përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Shëndetësisë, një perspektivë të re, për të rritur sigurinë ushqimore, duke filluar nga fëmijët.
Niko Peleshi, ministër i bujqësisë: “Të rrisim sigurinë ushqimore në vend duke filluar nga fëmijët, sepse natyrisht bëhet fjalë për shëndetin e tyre. Bëhet fjalë për një të ardhme të sigurtë edhe nga pikëpamja ushqimore.”
Ministri i bujqësisë u tregua kategorik, sa i përket tregtimit të ushqimeve të pakontrolluara në territorin e shkollave të vendit.
“Do ti largojmë të gjithë ambulantët nga oborret e shkollave dhe do të hapim brenda shkollave ambjente të pastra me ushqim të kontrolluar.”
Nga zbatimi i këtij projekti pilot pritet të përfitojnë rreth 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare në disa qytete të vendit. Sipas marrëveshjes në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë është hartuar menuja ushqimore, e cila përshtatet me standardet e të ushqyerit shëndetshëm për grupmoshat 6-15 vjeç./abcnews.al